Aksion i madh antikorrupsion në Irak, arrestohen 47 zyrtarë të lartë

Bota

Aksion i madh antikorrupsion në Irak, arrestohen 47 zyrtarë të

Forcat irakene të sigurisë kanë arrestuar 47 politikanë, deputetë dhe zyrtarë të lartë në një operacion të gjerë kundër korrupsionit, i cili konsiderohet si një nga aksionet më të mëdha të ndërmarra në vend në vitet e fundit.

Operacioni është urdhëruar nga kryeministri i ri i Irakut, Ali al-Zaidi, i cili që prej marrjes së detyrës në muajin maj ka premtuar një luftë të ashpër ndaj korrupsionit dhe keqmenaxhimit të institucioneve shtetërore.

Sipas burimeve të sigurisë, forcat speciale, përfshirë njësitë elitare të Shërbimit Kundër Terrorizmit, zhvilluan bastisje në Zonën e Gjelbër të Bagdadit, ku ndodhen institucionet kryesore shtetërore dhe rezidencat e shumë zyrtarëve, si dhe në disa lagje të tjera të kryeqytetit.

Agjencia shtetërore irakene e lajmeve INA bëri të ditur se mes të arrestuarve ndodhet edhe zëvendësministri i Naftës për Çështjet e Shpërndarjes, Ali Maarej. Po ashtu është ndaluar edhe Muthanna al-Samarrai, drejtues i Aleancës Al-Azm, së bashku me menaxherin e zyrës së tij. Sipas mediave ndërkombëtare, në operacion janë përfshirë edhe disa anëtarë të koalicionit parlamentar “Reconstruction and Development Coalition”.

Autoritetet irakene njoftuan se deputetëve të përfshirë në hetim u ishte hequr paraprakisht imuniteti parlamentar, me miratimin e kryetarit të Parlamentit, Haybat al-Halbousi. Legjislacioni iraken i jep kryetarit të parlamentit kompetencën për të autorizuar masa të tilla gjatë periudhës kur parlamenti ndodhet në pushim legjislativ.

Komisioni Federal i Integritetit deklaroi se operacioni po zhvillohet në zbatim të urdhrave gjyqësorë për arrestimin e personave të dyshuar për përvetësim të fondeve publike. Institucioni theksoi se të gjitha veprimet po kryhen në përputhje të plotë me ligjin dhe procedurat gjyqësore.

Burime pranë hetimit thanë se arrestimet janë mbështetur në dëshmitë e Adnan al-Jumaili, një tjetër zëvendësministër i Naftës, i arrestuar muajin e kaluar për korrupsion. Gjatë hetimeve autoritetet kanë sekuestruar rreth 86 milionë dollarë para cash, të cilat dyshohet se lidhen me këtë skandal financiar.

Qeveria e re synon të godasë rrjetet e korrupsionit që prej vitesh kanë dëmtuar ekonominë dhe institucionet e Irakut. Aktivistët kundër korrupsionit kanë deklaruar vazhdimisht se sistemi politik iraken është ndërtuar mbi klientelizmin dhe shpërdorimin e fondeve publike, duke lejuar partitë politike dhe zyrtarët të përfitojnë nga burimet shtetërore.

ME TE LEXUARAT