Araghchi: Sulmet amerikane ndaj energjisë iraniane janë krime lufte dhe shkelje e së drejtës ndërkombëtare

Shefi i diplomacisë iraniane, Abbas Araghchi, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë kryer krime lufte përmes sulmeve ndaj infrastrukturës thelbësore energjetike të Iranit, të cilat ai i konsideron shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare.
Në një mesazh të shpërndarë në Telegram, Araghchi u shpreh se kërcënimet dhe operacionet ushtarake amerikane, sipas tij, dëshmojnë “qëllimin kriminal të aparatit qeveritar amerikan për të kryer krime të tmerrshme”.
Ai vlerësoi se veprimet e SHBA-së përbëjnë “një shkelje flagrante të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare”.
Sipas ministrit iranian, goditjet kundër objekteve të infrastrukturës civile klasifikohen si “krime të rënda ndërkombëtare” dhe bien ndesh me bazat e së drejtës penale ndërkombëtare, përfshirë katër Konventat e Gjenevës të vitit 1949.
Araghchi theksoi se çdo shtet ka përgjegjësi të zhvillojë hetime, të nisë procedura penale dhe të ndëshkojë personat që kryejnë krime të tilla.
Po ashtu, ai akuzoi zyrtarët amerikanë se përdorin “retorikës irracionale dhe kërcënimeve djallëzore”. Ai pretendoi se qëndrimi armiqësor i Uashingtonit ndaj Teheranit lidhet me vendosmërinë e iranianëve për të ruajtur pavarësinë, të drejtat e tyre legjitime dhe dinjitetin.
Në fund të deklaratës së tij, kryediplomati iranian paralajmëroi se përgjegjësit për këto sulme “nuk mund t’i shmangen përgjegjësisë ligjore duke pretenduar se kanë vepruar me urdhër të eprorëve të tyre”.


