Bota në alarm, Irani gati të godiste me raketa Ukrainën

Bota

Bota në alarm, Irani gati të godiste me raketa Ukrainën

Irani ka shqyrtuar mundësinë e një sulmi raketor ndaj një porti ukrainas në Detin e Zi, në shenjë hakmarrjeje pas sulmit ndaj një anijeje iraniane në Detin Kaspik, raporton The New York Times.

Ukraina goditi të shtunën një anije mallrash iraniane në Detin Kaspik. Nga sulmi mbeti i vrarë një marinar dhe u plagos një tjetër anëtar i ekuipazhit.

Zyrtarët iranianë paralajmëruan hakmarrje.

Një sulm iranian ndaj Ukrainës do të sillte një përshkallëzim të ndjeshëm të konfliktit, veçanërisht për shkak të marrëdhënieve të ngushta mes Teheranit dhe Moskës, si dhe tensioneve të vazhdueshme mes Iranit dhe Ukrainës.

Sipas raportimeve, situata u zbut pas kontakteve diplomatike. Ministri i Jashtëm ukrainas në detyrë, Andrii Sybiha, zhvilloi një bisedë me homologun iranian Abbas Araghchi, duke theksuar se veprimet e Ukrainës kishin për qëllim vetëm mbrojtjen ndaj agresionit rus.

Pas bisedës, Araghchi theksoi se Irani “nuk kërkon përshkallëzim”, por kërkon kompensim për dëmet e shkaktuara.

Analistë pranë qeverisë iraniane thanë se disa figura politike në Teheran kërkuan një kundërpërgjigje ushtarake, ndërsa të tjerë këshilluan kujdes, duke argumentuar se hapja e një fronti të ri kundër Ukrainës do të sillte rreziqe të mëdha për Iranin.

Në fund, Teherani konfirmoi se nuk synon një përplasje të drejtpërdrejtë me Ukrainën, por këmbënguli se dëmet ndaj anijes së tij duhet të kompensohen.

ME TE LEXUARAT