Dosja Epstein, ish-prokurorja e përgjithshme Bondi nuk do të paraqitet në seancën e Dhomës së Përfaqësuesve

Bota

Dosja Epstein, ish-prokurorja e përgjithshme Bondi nuk do të paraqitet

Ish-prokurorja e përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, nuk do të paraqitet javën e ardhshme për të dëshmuar para një komisioni të Kongresit në lidhje me hetimin ndaj Jeffrey Epstein.

Departamenti i Drejtësisë ka bërë të ditur se ajo ishte thirrur për të dëshmuar në cilësinë e saj si prokurore e përgjithshme, një detyrë që nuk e mban më pas largimit nga posti.

Bondi u shkarkua nga Donald Trump javën e kaluar, duke lënë pezull paraqitjen e saj në seancën e planifikuar për 14 prill.

Megjithatë, disa anëtarë të Komitetit Mbikëqyrës në Dhomën e Përfaqësuesve kërkojnë që ajo të dëshmojë në një datë tjetër. Republikania Nancy Mace dhe demokrati Robert Garcia janë shprehur se ajo duhet të përgjigjet ndaj pyetjeve dhe se mungesa në detyrë nuk e heq këtë detyrim.

Çështja lidhet me mënyrën se si është trajtuar hetimi ndaj Epstein dhe publikimi i dokumenteve përkatëse. Administrata dhe vetë Bondi janë përballur me presion për të bërë transparente të gjitha materialet.

Komiteti i Kongresit ka thirrur edhe figura të tjera të njohura për të dëshmuar, përfshirë Bill Clinton, Hillary Clinton dhe së shpejti pritet edhe dëshmia e Bill Gates.

Debati për këtë çështje vazhdon, ndërsa ligjvënësit kërkojnë më shumë qartësi mbi hetimet dhe publikimin e dosjeve.

ME TE LEXUARAT