Itali/ Georgia Meloni thyen rekordin e qëndrimit në krye të qeverisë: S'ka asgjë historike

Giorgia Meloni ka tejkaluar pritshmëritë sa i përket qëndrimit në krye të qeverisë italiane, duke hyrë në listën e mandateve më të gjata në historinë e Republikës së Italisë. Vetë kryeministrja reagoi në rrjetet sociale, duke theksuar se e sheh këtë moment jo si festë, por si përgjegjësi më të madhe ndaj qytetarëve.
“Nuk e shoh këtë si një moment historik për të festuar, por si një përgjegjësi edhe më të madhe ndaj italianëve. Faleminderit atyre që vazhdojnë të na mbështesin, që besojnë në punën tonë dhe seriozitetin e angazhimit tonë”, shkroi Meloni në Instagram.
Qeveria e saj ka arritur në ditën e 1.288-të në detyrë, duke kaluar në jetëgjatësi një prej qeverive të Silvio Berlusconit, ku Meloni shërbeu si ministre e Rinisë në vitet 2008-2011.
Për t’u renditur si qeveria më jetëgjatë në historinë e Italisë, kabineti i Melonit duhet të qëndrojë edhe të paktën 130 ditë të tjera në pushtet. Aktualisht, situata politike duket në favor të saj, falë mbështetjes së aleatëve të koalicionit qeverisës.
Në ditët në vijim, Meloni pritet të zhvillojë vizita zyrtare në Azerbajxhan dhe Armeni, ndërsa do të përballet edhe me sfida diplomatike që lidhen me tensionet në Lindjen e Mesme.
Një tjetër sfidë për qeverinë italiane mbetet menaxhimi i krizës së energjisë, si dhe rritja e çmimeve të karburanteve, të ndikuara nga konfliktet ndërkombëtare.


