Japonia lehtëson eksportet e armëve, kthesë historike nga politika pacifiste

Qeveria e Japonisë ka njoftuar një ndryshim të madh në politikën e saj të mbrojtjes, duke lehtësuar rregullat e eksportit të armëve të vendosura prej dekadash.
Vendimi shënon një kthesë historike për vendin me traditë të fortë pacifiste që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Sipas autoriteteve në Tokio, ndryshimet do t’i lejojnë Japonisë të eksportojë edhe armë vdekjeprurëse dhe produkte të plota ushtarake jashtë vendit, duke e futur zyrtarisht në tregun ndërkombëtar të industrisë së mbrojtjes. Zëdhënësi i qeverisë, Minoru Kihara, deklaroi se rishikimi i “tre parimeve” për transferimin e pajisjeve mbrojtëse do të mundësojë miratimin, në parim, të eksporteve më të gjera.
Vendimi është miratuar nga qeveria dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Japonisë, ndërsa kryeministrja Sanae Takaichi e ka mbrojtur këtë hap, duke theksuar se do të forcojë mbrojtjen e vendit dhe do të stimulojë industrinë kombëtare si një motor të ri të rritjes ekonomike.
Deri më tani, Japonia kishte kufizuar eksportet e produkteve të saj ushtarake vetëm në fusha jo-luftarake si kërkim-shpëtimi, transporti apo mbikëqyrja. Me ndryshimet e reja, në parim do të lejohet transferimi i çdo pajisjeje mbrojtëse.
Mbështetësit e politikës argumentojnë se kjo lëvizje do të ndihmojë Japoninë të integrohet më tej në zinxhirin global të furnizimit të industrisë së mbrojtjes, duke forcuar lidhjet me partnerët ndërkombëtarë në një kohë tensionesh në rritje në rajon, përfshirë forcimin ushtarak të Kina dhe kërcënimet nga Koreja e Veriut.
Megjithatë, vendimi ka shkaktuar reagime të forta brenda vendit. Kritikët e shohin atë si një largim të rrezikshëm nga politika tradicionale pacifiste e Japonisë dhe një goditje ndaj parimeve që kanë udhëhequr vendin që nga paslufta.


