Kina krijon “Zonën 51” të saj, sateliti kap dy avionët luftarakë të gjeneratës 6 në bazën sekrete

Imazhet e para satelitore të njohura të dy avionëve luftarakë kinezë të gjeneratës së gjashtë janë publikuar. Sipas medias “The War Zone”, avionët luftarakë, të njohur tani si J-36 dhe J-XDS, u panë jo në aeroportet e tyre ku u prodhuan, por në një bazë ajrore misterioze me një pistë të madhe të vendosur pranë qendrës së testimit bërthamor Lop Nur në Kinën veriperëndimore.
J-36, lehtësisht i dallueshëm nga konfigurimi i tij i madh dhe i modifikuar i krahëve delta është fotografuar përpara hangarit kryesor në platformën qendrore të bazës në një imazh satelitor të 27 gushtit, të cilin The War Zone e mori nga Planet Labs.
Ndërkohë, J-XDS shihet në një imazh tjetër nga e njëjta kompani, të realizuar më 13 shtator.

Baza e lartpërmendur në Lop Nur, e cila më parë ishte e lidhur me zhvillimin e anijeve kozmike të ripërdorshme, aktualisht po kalon një fazë të madhe zgjerimi. Ajo ka një pistë më shumë se 5 kilometra të gjatë, një nga më të gjatat në botë.
Një seri imazhesh satelitore nga maji i këtij viti zbulon shkallën e punës në Lop Nur. Që më parë, në fillim të viteve 2020, infrastruktura e bazës u përmirësua ndjeshëm e më pas u ndërtua hangari kryesor dhe platforma përkatëse. Në atë kohë, objekti dukej se lidhej kryesisht me programet hapësinore ushtarake.
Vitin e kaluar dolën imazhe të reja satelitore që tregonin një objekt misterioz në njërën anë të pistës. Tani është e qartë se baza ka marrë një rol shumë më të gjerë dhe më të rëndësishëm strategjikisht në sistemin e Kinës për zhvillimin e teknologjisë së përparuar të aviacionit dhe po bëhet një lloj homologu i vendit sekret të testimit amerikan Groom Lake në Nevada, e njohur më mirë si Zona 51.

Shfaqja e të dy avionëve luftarakë në të njëjtën periudhë në këtë bazë sekrete tregon qartë se objekti ka një mision të ri, të mbështesë zhvillimin e teknologjive të përparuara luftarake. Kjo është një shenjë e fazës në të cilën ndodhet programi i avionëve luftarakë të gjeneratës së gjashtë të Kinës, me avionët që po testohen paralelisht, ndoshta edhe së bashku.


