Kush është Mohammad Bagher Ghalibaf, ndërmjetësi iranian i SHBA-ve (që mohon bisedimet)

Bota

Kush është Mohammad Bagher Ghalibaf, ndërmjetësi iranian i

Sipas burimeve izraelite, është Mohammad Bagher Ghalibaf, presidenti i fuqishëm i Parlamentit iranian (Majlis) që nga viti 2020, personi që po komunikon me amerikanët në negociatat e shpallura nga kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump.

«Populli ynë kërkon një ndëshkim të plotë dhe të ashpër për agresorët. Të gjithë zyrtarët mbështesin fort liderin dhe popullin e tyre deri në arritjen e këtij qëllimi. Nuk janë zhvilluar negociata me Shtetet e Bashkuara. Lajmet e rreme po përdoren për të dalë nga ngërçi në të cilin janë futur SHBA dhe Izraeli», ka reaguar ai në X.

Nëse kjo do të konfirmohej, do të ishte (ndoshta) realizimi i ëndrrës së tij jetësore. Figurë e rëndësishme e establishmentit të Republikës Islamike, pranë udhëheqjes aktuale të lidhur me Mojtaba Khamenei dhe me Gardën Revolucionare (IRGC), Ghalibaf prej kohësh synon majat e pushtetit: ka tentuar katër herë të zgjidhet president dhe për këtë njihet si “kandidati i përjetshëm”.

Edhe pse nuk ka rol në sferën fetare, nuk ka lidhje të forta me ajatollahët dhe nuk zotëron formimin filozofik të ish-shefit të sigurisë Ali Larijani, Ghalibaf ka një përvojë të gjatë politike, sipërmarrëse dhe ushtarake, të fituar që nga pjesëmarrja në milicinë Basij gjatë luftës Iran-Irak.

I lindur në vitin 1961 në Mashhad, qytet i shenjtë dhe vendlindja edhe e Ali Khamenei, ai është përfshirë në disa skandale korrupsioni. Ka qenë kryetar i bashkisë së Teheranit për 12 vite, por mbi të gjitha ka qenë komandant i Pasdaranëve gjatë luftës Iran-Irak në vitet ’80 dhe më pas shef i policisë. Në këtë rol, ai është mburrur se ka rrahur protestuesit me shkopinj druri në vitin 1999 dhe se ka urdhëruar policinë të qëllojë mbi turmën gjatë protestave universitare të vitit 2003.

Janë shumë të forta lidhjet e tij me familjen Khamenei (është i afërm me bashkëshorten e Ali Khamenei). Si veteran i IRGC-së, ai ka marrëdhënie me rrethin e ngushtë të udhëheqjes dhe thuhet se ka ndihmuar në promovimin e emrit të Mojtaba si lider i ri i vendit. Kohët e fundit, si gjatë protestave të janarit, ashtu edhe në kontekstin e sulmeve nga SHBA dhe Izraeli, Ghalibaf është paraqitur si një nga figurat më të ashpra kundër protestuesve dhe SHBA-ve, në përputhje me të kaluarën dhe bindjet e tij radikale.

Në disa raste, ai i ka quajtur SHBA-të “banda e Epstein” (duke iu referuar Jeffrey Epstein), ka kërcënuar me dëme “të pariparueshme” ndaj infrastrukturave në rajon dhe, pas vdekjes së Khamenei, ka folur për “vija të kuqe” që nuk duhen kaluar. Qëndrime që ngrenë dyshime nëse ai është vërtet ndërmjetësi i SHBA-ve.

Në fakt, me eliminimin e figurave të tjera të rëndësishme, ndërhyrja e Trump mund të përfaqësojë mundësinë e parë reale për Ghalibaf që të arrijë në krye të Republikës Islamike. Ai mund të jetë zgjedhur pikërisht për aftësinë e tij për të mbajtur të bashkuar aparatin ushtarak, politik dhe teknik të pushtetit, duke shmangur një përçarje të mëtejshme të regjimit pas muajsh protestash, vdekjes së liderit suprem dhe javësh lufte.

Pilot i kualifikuar, ai pretendon se di të drejtojë edhe avionë të mëdhenj pasagjerësh.

Pas vrasjes së drejtuesve të regjimit gjatë luftës së zhvilluar ndaj Iranit nga SHBA dhe Izraeli, ai është shfaqur si figura politike me profilin më të lartë në vend, me lidhje të forta në të gjitha fraksionet dhe institucionet. President i Majlisit që nga viti 2020, ai ka mbështetur herë pas here reforma ekonomike, duke mbetur gjithsesi në linjë me institucionet themelore të Republikës Islamike.

«Ndoshta njeriu më i fuqishëm në Iran tani është Ghalibaf», ka deklaruar Arash Azizi, duke e përshkruar si «një figurë të rrallë që shtrihet mes funksioneve ushtarake, të sigurisë dhe politike të regjimit». Ndërsa Mojtaba Khamenei nuk është shfaqur publikisht dhe ka dhënë vetëm disa deklarata të shkruara, Ghalibaf ka qenë shumë aktiv në rrjetet sociale dhe në intervista: ai ka paralajmëruar se lufta do të ndryshojë Lindjen e Mesme, por jo sipas kushteve të Uashingtonit.

«Rendi këtu do të ndryshojë, por nuk do të jetë një rend ku do të mbizotërojë vullneti i Shteteve të Bashkuara», ka deklaruar ai, sipas agjencisë iraniane Tasnim.

Dhe pak pas njoftimit të Trump, ai ka qenë edhe më i prerë: «Jo negociata me SHBA-të, janë lajme të rreme për të manipuluar tregjet». Mbetet për t’u parë./ Corriere della Sera

ME TE LEXUARAT