Macron i përgjigjet ashpër Trumpit: Grenlanda nuk është në shitje, as Antarktida! Mos nis betejë për oqeanet...
Presidenti francez Emmanuel Macron tha sot se Groenlanda nuk është në shitje, ashtu si edhe Antarktida.
“Grenlanda nuk është për t’u marrë me vete, as Antarktida apo deti i thellë nuk janë në shitje”, tha Macron gjatë fjalimit të tij hapës në qytetin bregdetar francez të Nicës në një konferencë të Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e oqeaneve, duke dënuar indirekt kërcënimet e vazhdueshme të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të aneksuar ishullin, raporton BFM TV.
Macron do të vizitojë Groenlandën të dielën, ku do të bisedojë me Kryeministrin e territorit autonom brenda Danimarkës, Jens-Frederik Nielsen, dhe Kryeministren daneze Mette Frederiksen, rreth sigurisë së Atlantikut të Veriut dhe Arktikut, ndryshimeve klimatike, energjisë dhe mineraleve kritike, njoftoi zyra e presidentit francez.
Që kur është kthyer në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka shprehur vazhdimisht dëshirën e tij për të kontrolluar këtë ishull të vendosur strategjikisht dhe të pasur me minerale. Gjashtë muaj pasi SHBA-të u larguan nga marrëveshja e Parisit për klimën që synonte uljen e emetimeve të gazrave serrë për herë të dytë nën presidencën e Trump, presidenti francez ka dalë fuqishëm në mbrojtje të multilateralizmit.
“Për të fituar betejën për oqeanet, ne duhet të ringjallim multilateralizmin”, tha Macron.