Mbi 10 milionë njerëz pa energji elektrike, dërgohen donacione në ushqime dhe ilaçe në Kubë

Bota

Mbi 10 milionë njerëz pa energji elektrike, dërgohen donacione

Më shumë se 10 milionë njerëz kanë pasur ndërprerje të energjisë elektrike në shtëpitë dhe bizneset e tyre në të gjithë Kubën, pasi rrjeti kombëtar elektrik i vendit doli jashtë funksionit për herë të dytë brenda një jave.

Ministria e energjisë e Kubës tha se “ka ndodhur një shkëputje totale e Sistemit Elektrik Kombëtar”, në një deklaratë të postuar në mediat sociale. “Protokollet për rivendosjen e energjisë elektrike tashmë kanë filluar të zbatohen”, vijon njoftimi.

Operatori i rrjetit elektrik të Kubës, UNE, tha se po e rikthen gradualisht energjinë elektrike, duke i dhënë përparësi qendrave “jetike”, përfshirë spitalet dhe sistemet e ujit.

Vendi i Karaibeve ka pësuar tre ndërprerje të mëdha të energjisë këtë muaj, ndërsa bllokada amerikane e karburantit ndërpret importet e naftës së huaj, të nevojshme për të mbajtur në punë termocentralet.

Vendi i drejtuar nga komunistët ka një infrastrukturë të vjetëruar të energjisë elektrike dhe mungesa kronike të karburantit.

Një koalicion grupesh socialiste ndërkombëtare mbërriti në Havana gjatë fundjavës për të treguar mbështetjen e tyre për qeverinë kubane, duke sjellë me vete donacione ndihmash si panele diellore, paketa ushqimore bazë dhe ilaçe./Shqip

ME TE LEXUARAT