“Mundësia e fundit për Iranin”/ Sërish tensione mes palëve, Trump paralajmëron Teheranin, sulm në Hormuz

Bota

“Mundësia e fundit për Iranin”/ Sërish tensione mes

Një ditë pasi Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, njoftoi zhvillimin e negociatave të reja me Iranin për t’i dhënë fund konfliktit disa-mujor, ai paralajmëron Teheranin se kjo është “mundësia e fundit” për ta.

Duke folur për gazetarët në një aktivitet në Zyrën Ovale, Presidenti Trump tha se palët po bisedonin me kërkesë të Iranit, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit dhe vendeve të tjera.

“Kjo është mundësia e fundit për Iranin që të nënshkruajë një marrëveshje të mirë”, deklaroi Kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Por ndryshe u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, që deklaroi se nuk po zhvilloheshin negociata me Shtetet e Bashkuara dhe se nuk ishte planifikuar asnjë takim.

“Negociatat tona janë me Omanin. Jemi të përqendruar në arritjen e një marrëveshjeje për një rrugë që garanton sigurinë e trafikut detar përmes Ngushticës së Hormuzit. Bëhet fjalë për negociata dypalëshe mes dy shteteve bregdetare”, tha ai duke shtuar se negociatat me SHBA-të do të shqyrtohen në fazat e mëvonshme.

Në përgjigje të tij, Trump pretendoi se iranianët i janë lutur të ndalojë sulmet dhe të arrihet një marrëveshje.

“Ata telefonuan dhe thanë: ‘Ju lutemi, mos sulmoni. Ne do të arrijmë një marrëveshje.’ Kjo është e vërteta dhe të gjithë e dinë”, tha ai në Zyrën Ovale.

Ndërkohë, në Ngushticën e Hormuzit vazhdojnë tensionet. Një anije mallrash njoftoi se ishte goditur nga një predhë në brigjet e Omanit, por nuk dihet se nga cili vend ka ardhur sulmi.

ME TE LEXUARAT