Pas 11 shtatorit, kanceri, toksinat shkaktuan mijëra vdekje, beteja vijon edhe sot

Bota

Pas 11 shtatorit, kanceri, toksinat shkaktuan mijëra vdekje, beteja vijon

Për vite me radhë, toger Conrad Matos nuk mund të shihte asnjë kronikë televizive për sulmet terroriste të 11 Shtatorit.

Si mjek i Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut, ai e kishte përjetuar nga afër tragjedinë dhe nuk kishte nevojë ta rishihte shkatërrimin në ekran.

Ajo që kishte parë gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit dhe pastrimit në Ground Zero ishte tashmë e ngulitur në kujtesën e tij.

Por me kalimin e viteve, në mendjen e tij nisi të zinte vend një tjetër problem: një tumor, që më vonë do të lidhej me ekspozimin ndaj substancave toksike gjatë punës së tij në Ground Zero.

“U shkatërrova emocionalisht, sepse, të jem i sinqertë me ju, nuk e di nëse do të kisha vrapuar drejt atij vendi ashtu siç vrapova më 11 Shtator. Ndoshta do t’i kisha menduar gjërat ndryshe, sepse ne u futëm atje pa pasur pajisjet e duhura. Nuk kishim maska, respiratorë, asgjë. Për gjashtë muaj vazhdova të kthehesha atje për të ndihmuar, sepse gjithmonë besoja se kishte ende shpresë. Mendoja se duhej të kishte dikë ende për të gjetur. Por nuk kishte askënd. Gjithçka që vazhdonim të gjenim ishin pjesë trupash.”

Pas gati tre dekadash në shërbim të zjarrfikësve të Nju Jorkut, diagnoza me kancer në vitin 2021 e detyroi të tërhiqej. Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në tru dhe kimioterapisë, ai mendoi se e kishte mposhtur sëmundjen. Por këtë vit, kanceri u rikthye. Kanë kaluar 25 vite që kur dy avionë u përplasën me Kullat Binjake në Manhatanin e Poshtëm.

Por pasojat shëndetësore të asaj dite vazhdojnë të ndihen. Sulmet e 11 Shtatorit vranë rreth 3 mijë njerëz në Nju Jork, në Pentagonin e Uashingtonit dhe në Pensilvani. Sot, besohet se numri i personave që kanë humbur jetën nga sëmundje të lidhura me ekspozimin pas sulmeve e ka kaluar ndjeshëm këtë shifër.

Sipas autoriteteve amerikane, rreth 400 mijë persona u ekspozuan ndaj toksinave të çliruara në ajër pas shembjes së kullave — mes tyre banorë, punonjës të zonës dhe mijëra efektivë që morën pjesë në operacionet e shpëtimit dhe pastrimit. Në ditët e para pas sulmeve mjeku Michael Crane punonte për kompaninë energjetike Con Edison dhe ishte përgjegjës edhe për pajisjet mbrojtëse të punonjësve.

Mjeku Michael Crane shprehet: “Pluhuri digjte. Kishte një erë të tmerrshme dhe gjithçka ishte e mbuluar me të”, Filtrat e respiratorëve bllokoheshin brenda 20 minutash. Shumë prej tyre, kur pajisja nuk funksiononte më, thjesht e hidhnin dhe vazhdonin punën. Ishin aq të përkushtuar për të shpëtuar njerëzit dhe për të ndihmuar qytetin, sa nuk ndaleshin”.

Programi Shëndetësor i World Trade Center, i ndjekur nga autoritetet amerikane, ka rreth 150 mijë persona të regjistruar për trajtim dhe monitorim. Rreth dy të tretat janë punonjës të ekipeve të shpëtimit, ndërsa pjesa tjetër janë persona të ekspozuar që jetonin apo punonin pranë Ground Zero.

Por numri i viktimave nuk dihet me saktësi. Sipas të dhënave të publikuara, mbi 9 mijë persona të regjistruar në këtë program kanë vdekur, megjithëse autoritetet thonë se nuk mund të konfirmojnë se të gjitha këto vdekje lidhen drejtpërdrejt me 11 Shtatorin. Dhe ndërsa njerëzit vazhdojnë të sëmuren e të vdesin, mjekët thonë se trajtimet po japin shenja shprese. 

ME TE LEXUARAT