Pesë qeveri të majta të Amerikës Latine dhe Spanja kundër ndërhyrjes në Venezuelë: Të mos kontrollohen burimet e saj

Pesë qeveri të majta në Amerikën Latine, Brazili, Kili, Kolumbia, Meksika dhe Uruguai, së bashku me Spanjën, kanë publikuar sot një deklaratë të përbashkët, në të cilën kundërshtojnë “çdo përpjekje për kontroll” të Venezuelës, një ditë pas operacionit ushtarak të Shteteve të Bashkuara.
Në deklaratë, gjashtë vendet shprehin shqetësimin e tyre për stabilitetin rajonal pas bombardimeve ajrore të ushtrisë amerikane dhe arrestimit të presidentit venezuelian Nicolás Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores. Ata janë transferuar me forcë në SHBA dhe pritet të dalin të hënën para gjykatës në Nju Jork, nën akuzën e “narkoterrorizmit”.
“Shprehim shqetësimin tonë ndaj çdo përpjekjeje për kontroll qeveritar, administrim apo pronësi të jashtme mbi burimet natyrore ose strategjike të Venezuelës”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Ministria e Jashtme e Kolumbisë.
Reagimi vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të shtunën se do t’u lejojë kompanive amerikane të naftës të shfrytëzojnë burimet energjetike të Venezuelës, e cila zotëron rreth 17% të rezervave botërore të naftës bruto.
Trump po ashtu deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të “administrojnë vendin derisa të jetë e mundur një tranzicion i sigurt, i përshtatshëm dhe i kujdesshëm”, një deklaratë që ka nxitur reagime të forta ndërkombëtare dhe shqetësime për sovranitetin e Venezuelës/PANORAMA


