“Pronari më tha të thoja se era është nga gropat e ujërave të zeza!”- Zjarri në fabrikën e biskotave në Greqi, dëshmitë tronditëse të punonjësve

Bota

“Pronari më tha të thoja se era është nga gropat e

Rrjedhja e propanit, shkaku i shpërthimit, ishte konstatuar në fabrikën e biskotave Violanta në Trikala të Greqisë, disa muaj përpara tragjedisë së 26 janarit 2026, ku humbën jetën 5 punonjëse dhe u plagosën disa të tjera.

Sipas mediave greke, menaxhmenti dhe pronarët e industrisë ishin në dijeni, por askush nuk e mori seriozisht kërcënimin vdekjeprurës. Nga sa duket, askush nuk i kushtonte rëndësinë e duhur çështjes së sigurisë, planeve të evakuimit në rast emergjence apo rreziku, si dhe trajnimit e punonjësve mbi protokollet e sigurisë.

Rezultati ishte tragjedia, me pesë punëtore të pafajshme që humbën jetën. Në kujtim të tyre, nderimi minimal është publikimi i së vërtetës për atë që shkoi keq. Dhe askush nuk mund ta përshkruajë me më shumë saktësi, qartësi dhe ashpërsi sesa vetë punonjësit.

Historia rrëqethëse dhe tronditëse e “Violantas” shpaloset përmes fragmenteve të dëshmive që punonjësit kanë dhënë me firmë para autoriteteve. Si ato që vijojnë, thjesht në mënyrë indikative.

Punëtori 1 – Dy muaj në Violanta, 31 vjeç

 “Rreth 5 ditë pasi nisa punën, afërsisht nga 8–10 dhjetori 2025, kishte gradualisht një erë, e cila ndonjëherë shtohej dhe herë të tjera pakësohej. Nuk mund ta përshkruaj saktësisht çfarë lloj ere ishte dhe nga vinte. Mund ta krahasoj vetëm me erën që lëshojnë makinat në pikat e karburantit kur furnizohen me gaz të lëngshëm. Ia përmenda X-it dhe ai ua përmendi pronarëve, por nuk e di çfarë u tha më tej. E diskutova edhe me kolegun, dhe ai kishte të njëjtin mendim, edhe ai ua kishte përmendur pronarëve”, ka dëshmuar ai.

“Pronari më tha të thoja se era është nga gropat e

 PYETJE: Gjatë këtyre dy muajve që je aty, ka ndodhur ndonjë defekt në ndonjë makineri?

– PËRGJIGJE: Po, brenda dhjetorit 2025 ndodhi një herë një defekt në një zgjatues ku ishte lidhur soba, por e parandaluam në kohë.

– PYETJE: A të kishte thënë X çfarë duhej të bëje nëse do të kishte problem me furrën?

– PËRGJIGJE: Më ka treguar disa gjëra, por nuk më ka treguar çfarë të bëj nëse furra merr flakë.

– PYETJE: A e di nëse ka sistem kamerash në kompani dhe kush e menaxhon?

– PËRGJIGJE: Po, ka sistem kamerash, por nuk e di kush e menaxhon. Ka kamera edhe brenda hapësirës, konkretisht jashtë brumatores. Kjo kamerë mbulonte të gjithë hapësirën e prodhimit dhe regjistronte edhe zonën ku ndodhi shpërthimi.

– PYETJE: A kishte plane evakuimi dhe a kishit marrë ndonjë trajnim?

– PËRGJIGJE: Kishte plane, por askush nuk m’i tregoi. Gjatë kohës që isha aty, nuk bëmë asnjë trajnim.

– PYETJE: Para shpërthimit, a pati ndonjë sinjalizim zanor?

– PËRGJIGJE: Para shpërthimit nuk dëgjova asgjë. Pas shpërthimit dëgjova një alarm të vogël zanor.”

Punëtorja 2 – 28 vite në “Violanta”

“Askush nuk kishte ndryshuar asgjë, e njëjta situatë mbeti deri në fund. Aty ku punoja prej 28 vitesh, aty ku punonte edhe vajza ime, e cila humbi jetën. Për erën njoftova drejtorin e prodhimit dhe drejtorin tjetër, të cilët na siguruan se do të njoftonin hidraulikun që të vinte ta rregullonte. Ai erdhi, por na siguronte se nuk kishte asnjë erë. Përveç erës së gazit të lëngshëm në linjën e prodhimit, kabllot elektrike mbi dysheme kishin shkaktuar goditje elektrike te punonjësit edhe mua më goditi rryma, por më mpihu vetëm dora.

Kur vinte kontroll nga EFET, na thoshin se kishin ardhur në ambiente, por EFET nuk erdhi kurrë në Krahun B. Thjesht na informonin se EFET ishte larguar. Në 28 vite patëm dy incidente zjarri të vogël në Krahun B, konkretisht në furrat, por çdo herë u përballuan nga punonjësit edhe pse vinte edhe zjarrfikësja e Trikalasë. Furrat punojnë me gaz të lëngshëm, në pjesën e pasme të Krahut B kishte dy depozita të mëdha të hapura. Era ndjehej kryesisht në lavamanë dhe në tualete.

Dua të shtoj se në Krahun B nuk u bë kurrë mirëmbajtje. Kam në telefon fotografi nga 6/11/2024 ku duken mangësitë që përmenda”, ka dëshmuar ajo.

Punëtori 3 – 14 muaj në Violanta, 27 vjeç

“Punoj në këtë punishte prej rreth 14 muajsh. Më 25-01-2026 shkova në punë në 22:30 për turnin e natës, deri në momentin kur u dëgjua shpërthimi. Me vetëdije nuk bëra pushim për të përgatitur turnin e mëngjesit. Ndërsa isha në brumatore dhe dola nga hyrja, pata një bisedë të shkurtër me një koleg për brumin. Distanca mes nesh ishte rreth 10 metra, pa pengesa. Sapo mbaruam bisedën, u fikën dritat dhe u dëgjua një zhurmë e fortë, si krismë granate. Pashë me cep të syrit objekte që fluturonin (panele, llamarina, pjesë furrash etj.).

Pashë një derë të hapur përpara dhe dola menjëherë nga pjesa e pasme ku ndodhen depozitat e propanit. Telefonova policinë rreth orës 04:01. Dëgjoja britma për ndihmë dhe përgjegjësin e prodhimit që u bërtiste të gjithëve të dilnin jashtë. U futa sërish brenda me kolegun tim, por nuk mundëm të bënim gjë, pasi binin llamarina e tavani dhe zjarri ishte përhapur. Dolëm sërish jashtë. U drejtova nga pjesa ku ndodhet qendra e rehabilitimit dhe kalova mbi rrënoja.

Shkova në pjesën e përparme, në parkim, ku gjeta punonjësit e tjerë. Hyra në magazinën e lëndëve të para për t’u rikthyer në ndërtesën që digjej, për të ndihmuar gratë e turnit tim, të cilat janë edhe shoqet e mia. Brenda pashë X., L.M. dhe G.S. të përqafuara dhe të mbuluara në gjak. Shkuam te një derë me shkallë, por kishte shumë rrënoja. U drejtuam te portat e ngarkimit; e para nuk u hap, e dyta po, dhe dolëm në parkim. Ndërtesa po digjej pothuajse tërësisht.”

Hidrauliku “amator”

Punëtori X.P. kryente detyrën e hidraulikut në “Violanta” pa pasur certifikim apo diplomë si teknik i specializuar. Ai dëshmoi se kishte ndjerë erën që nga nëntori 2025.

“Më dukej si gaz i lëngshëm. Ishte më e fortë në tualete dhe në lavamanë, në ndërtesën 2. E kisha njoftuar verbalisht pronarin, Konstantinos Tziortziotis, dhe bashkë me drejtorin e prodhimit shkuam në tualete, por nuk gjetëm gjë. U njoftua një person për instalimet e gazit. Në mes të dhjetorit bëri matje, por atë ditë nuk konstatoi asgjë.”

I pyetur çfarë u thoshte punonjësve për erën, ai tha: “Drejtori i prodhimit më tha të thosha se ‘era vjen nga gropat septike derisa të shohim çfarë ka ndodhur’. Kishte edhe rënie presioni në furrat, veçanërisht muajin e fundit e gjysmë. Tetë vite më parë më ishte ngarkuar nga Konstantinos Tziortziotis instalimi i një linje të re propani, megjithëse ai e dinte që nuk kisha diplomë instaluesi.”

Gropat septike… të pretenduara

Punëtore 4 – 24 vite në Violanta

“Era ishte aq e fortë sa më digjnin sytë. Punoj që nga 2002 në ndërtesën ku ndodhi zjarri. 15 ditët e fundit para zjarrit, vura re një erë të çuditshme në tualetet e ndërtesës 2. Nuk dukej si erë gropash, por as si gaz i pastër. Njoftova përgjegjësen e turnit. Ajo më tha se kishte njoftuar drejtuesit dhe se i kishin thënë që vjen nga gropat dhe do të hidhnin diçka aty”, tregoi ajo.

Punëtore 5

“Punonja në Krahun B, në linjën e biskotave. E kisha ndjerë erën 4 muaj më parë, në tualet. Ishte si gaz i lëngshëm, jo si kanalizime. Ishin njoftuar përgjegjësit, por nuk u bë asnjë punë dhe era vazhdoi. Teknikët e dinin problemin dhe nuk e zgjidhën siç duhet, duke e përkeqësuar situatën deri në shpërthim”, tha ajo.

Specialisti dhe shpërthimi i paralajmëruar

Inxhinieri mekanik i thirrur për të kontrolluar rrjetin nëntokësor të propanit konstatoi rrjedhje të madhe gazi.

“Vendosa pajisjet dhe e presova rrjetin me azot në 5 bar. U konstatua rrjedhje e fortë, që do të thotë se kishte rrjedhje paraprake në rrjetin nëntokësor që transportonte propanin nga depozitat te djegësit e furrave. Në vendngjarje ishte zjarrfikësja dhe policia, si dhe pronari Konstantinos Tziortziotis dhe tekniku hidraulik.

Me urdhër të zjarrfikëses u zbulua tubacioni me makineri. Në 60 cm thellësi, detektori tregoi 2.500 ppm propan, kur duhej të ishte zero. Më pas, në bodrum, matja tregoi 6.000 ppm.

Besoj se rrjedhja afatgjatë nga tubi nëntokësor, duke gjetur terren të butë, depërtoi në bodrum dhe, si gaz më i rëndë se ajri, u grumbullua në pjesën e poshtme. Kur arriti pikën e shpërthyeshmërisë dhe me gjasë nga një shkëndijë e një motori elektrik, u shkaktua shpërthimi me valë shumë të fortë goditëse”, ka dëshmuar ai.

ME TE LEXUARAT