Pse Trump bombardoi 7 SHTETE në 13 muaj (pasi tha se nuk do të fillonte luftëra)

Bota

Pse Trump bombardoi 7 SHTETE në 13 muaj (pasi tha se nuk do të

“Nuk do të nis luftëra, do t’i ndal”, deklaron Donald Trump ditën e zgjedhjes së tij në fjalimin e fitores në Palm Beach Convention Center. Ka kaluar pak më shumë se një vit nga fillimi i mandatit të tij të dytë; le të shohim si e ka mbajtur këtë premtim solemn.

Somali – 1 shkurt 2025: I rikthyer në Shtëpinë e Bardhë prej vetëm dy javësh, Trump urdhëron një sulm ushtarak kundër një baze të ISIS në Somali, në zonën malore të Al Miskad, e përdorur si strehë nga militantët. “Këtë mëngjes kam urdhëruar sulme ajrore ushtarake të sakta kundër një komandanti të ISIS në Somali, shkruan Trump në rrjetin social Truth. Këta vrasës, që i gjetëm të fshehur në shpella, kanë kërcënuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë”. Gjatë vitit, sulmet në Somali kundër ISIS dhe al-Shabaab, grupi xhihadist i lidhur me al-Qaeda, do të arrijnë në 168, një shifër që tejkalon totalin e operacioneve të kryera gjatë administratave të George W. Bush, Barack Obama dhe Joe Biden së bashku.

Irak – 13 mars 2025: Në ditët e para të marsit, frika për një recesion të mundshëm të shkaktuar nga tarifat doganore të Trump bën që bursat të bien ndjeshëm. Mediat flasin për “Trumprecession”. Më 10 mars është një e hënë e zezë: Nasdaq humbet 1 trilion dollarë dhe e mbyll ditën me një rënie prej 5 për qind, humbja më e madhe në dy vjet e gjysmë. Më 13 mars Trump urdhëron vrasjen e Abdallah Makki Muslih al-Rifai, një komandant i rangut të lartë të ISIS, në një sulm në provincën irakiane të al-Anbar. “Jeta e tij e mjerë u ndërpre, së bashku me atë të një anëtari tjetër të ISIS, në koordinim me qeverinë irakiane dhe qeverinë rajonale kurde”, shkruan Trump në një postim në rrjetet sociale.

Jemen – mars-maj 2025: Më 15 mars nisin sulmet kundër Houthi-ve. Për javë të tëra Pentagoni godet me dhjetëra operacione detare Houthit në Jemen, duke shkatërruar infrastrukturën dhe duke vrarë dhjetëra civilë. Qëllimi është ndalimi i sulmeve ndaj anijeve në Detin e Kuq. Në maj, falë ndërmjetësimit të Omanit, inkursionet ndalojnë. Në qershor Human Rights Watch sinjalizon se një sulm amerikan ndaj portit Ras Isa në Al-Ḥudayda në prill ka vrarë më shumë se 80 civilë dhe duhet të hetohet si krim lufte.


Iran – 22 qershor 2025: Ndërsa në SHBA zhvillohen protesta në më shumë se 1,500 qytete kundër prirjes autoritare të presidentit dhe shpërthejnë lëvizje si “No Kings Movement”, më 22 qershor Trump nis operacionin “Midnight Hammer” (Çekiçi i Mesnatës), një operacion ushtarak i forcave ajrore dhe detare kundër objekteve bërthamore në Iran. Bombarduesit B-2 dhe nëndetëset të armatosura me raketa Tomahaëk godasin impiantin e pasurimit të uraniumit në Fordoë, impiantin bërthamor të Natanzit dhe qendrën e teknologjisë bërthamore në Esfahan. Trump deklaron në Hagë, në samitin e NATO-s: “Objektet bërthamore iraniane janë asgjësuar, besoj se është një shkatërrim total”. Ky është sulmi i parë i drejtpërdrejtë i Shteteve të Bashkuara në territorin iranian që nga viti 1988.

Deti i Karaibeve – 2 shtator 2025: Dy javë pas takimit mes Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaskë dhe polemikave që lindën rreth strategjisë së propozuar për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë (praktikisht një dorëzim për Kievin), Shtetet e Bashkuara nisin ofensiva të synuara kundër trafikut të drogës venezuelane. Më 2 shtator Trump urdhëron fundosjen e anijes së parë në Detin e Karaibeve; vdesin 11 persona, të cilët presidenti amerikan i quan “narko-terroristë”. Në muajt pasues vijojnë sulme të tjera dhe rritet presioni ndaj Venezuelës së Nicolás Maduro-s, e akuzuar si bashkëpunëtore në kontrabandën e drogës.

Siri – 19 dhjetor 2025: Pas një sulmi ku vriten dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes në qytetin e Palmirës, Trump urdhëron një operacion kundër Shtetit Islamik. CENTCOM, Komanda Qendrore amerikane, njofton se janë goditur mbi 70 objektiva. Trump në rrjetet sociale konfirmon se Shtetet e Bashkuara po “u japin një kundërpërgjigje shumë serioze, siç u premtua, terroristëve vrasës”.

Nigeri – 25 dhjetor 2025: Në ditën e Krishtlindjes Trump nis sulme ajrore kundër bazave të ISIS në shtetin Sokoto të Nigerisë. Presidenti e justifikon operacionin si hakmarrje për vrasjet e të krishterëve: “Nën udhëheqjen time, vendi ynë nuk do të lejojë që terrorizmi radikal islamik të lulëzojë. Zoti e bekoftë ushtrinë tonë dhe GËZUAR KRISHTLINDJET për të gjithë, përfshirë terroristët e vdekur, që do të jenë shumë më tepër nëse masakra e tyre ndaj të krishterëve vazhdon”.

Venezuela – 2 janar 2026: Viti i ri nis me operacionin “Absolute Resolve”: 150 avionë të forcave të armatosura amerikane bombardojnë veriun e vendit. Pas operacionit, në të cilin vriten 80 persona, mes ushtarakëve dhe civilëve venezuelanë e kubanë, presidenti venezuelan Nicolás Maduro kapet dhe transferohet në Metropolitan Detention Center në Brooklyn, Nju Jork. Nga Air Force One, Trump komenton: “Ne kemi kontrollin në Venezuelë”. Më pas ai kërcënon Kolumbinë, Meksikën dhe Kubën, duke përmendur mundësinë e operacioneve të ardhshme ushtarake në rajon.

Iran – 28 shkurt 2026: Një javë pas vendimit të Gjykatës Supreme kundër tarifave doganore, sipas të cilit presidenti nuk kishte autoritetin ligjor për t’i vendosur pa miratimin e Kongresit, dhe ndërsa shpërthen çështja Epstein që prek gjithnjë e më shumë Trumpin, Shtetet e Bashkuara nisin një sulm të madh të përbashkët me Izraelin, kundër Iranit. Në një videomesazh të transmetuar në orën 2:30 të mëngjesit, pak pas fillimit të bombardimeve, Trump deklaron se Irani përbën një “kërcënim të afërt” dhe kërkon rrëzimin e qeverisë. Operacioni “Furia Epike” çon në vrasjen e ajatollahut Khamenei dhe 7 zyrtarëve të tij të lartë. Në bombardime rrafshohet me tokë shkolla fillore Shajaba Tayyiba. Brenda saj ndodheshin 180 vajza të vogla. Deri tani viktimat civile janë me qindra dhe i gjithë Lindja e Mesme është përfshirë nga flakët.

Asnjë nga operacionet në këtë listë të gjatë nuk ka kaluar përmes autorizimit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, edhe pse Kushtetuta ia atribuon pikërisht Kongresit, dhe jo presidentit, pushtetin për përdorimin e forcës kundër një shteti tjetër sovran.

Gjatë vitit të parë të mandatit të tij, Donald Trump është mburrur se ka ndalur tetë luftëra dhe se meriton Çmimin Nobel për Paqen. E pavërtetë: kjo është përgënjeshtruar tashmë me dokumente. E vetmja marrëveshje në përfundimin e së cilës ai ka kontribuar realisht është ajo për ndalimin e bombardimeve izraelite në Gaza. Por atje ushtria izraelite vazhdon çdo ditë të qëllojë mbi popullsinë palestineze./Corriere Della sera

ME TE LEXUARAT