Rusia e gatshme për paqe, Putin: Nuk do të ketë më luftë nëse Perëndimi na trajton me respekt

Bota

Rusia e gatshme për paqe, Putin: Nuk do të ketë më

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se pas luftës në Ukrainë nuk do të ketë më konflikte, nëse Perëndimi trajton Rusinë “me respekt” dhe merr parasysh interesat e saj të sigurisë, duke i quajtur “marrëzi” pretendimet se Moska po planifikon sulme ndaj vendeve evropiane.

Deklaratat u bënë gjatë një eventi maratonë televiziv prej gati katër orësh e gjysmë, ku Putin iu përgjigj pyetjeve të publikut dhe gazetarëve.

I pyetur nga BBC nëse Rusia do të ndërmarrë operacione të tjera ushtarake, ai tha se nuk do të ketë asnjë operacion nëse respektohen interesat e tyre.Putin shtoi se kushti kryesor mbetet që Perëndimi të mos e mashtrojë Rusinë, duke iu referuar zgjerimit drejt lindjes të NATO-s, për të cilin ai pretendon se shkel premtime të bëra në vitin 1990, pretendime që janë mohuar nga ish-udhëheqës sovjetikë.

Në lidhje me luftën në Ukrainë, presidenti rus tha se Moska është e gatshme ta përfundojë konfliktin në mënyrë paqësore, por pa dhënë shenja kompromisi.

 

Ai përsëriti kërkesat e Rusisë që forcat ukrainase të tërhiqen nga katër rajone pjesërisht të pushtuara dhe që Kievi të heqë dorë nga aspiratat për anëtarësim në NATO.

Putin po ashtu kërkoi zhvillimin e zgjedhjeve të reja në Ukrainë si pjesë e çdo marrëveshjeje paqeje dhe u shpreh se Rusia do të ndalonte bombardimet gjatë procesit të votimit.

Ai hodhi poshtë pretendimet se sulmet e Ukrainës ndaj flotës “hije” ruse të cisternave do të dëmtonin eksportet ruse.

Në planin e brendshëm, Putin pranoi vështirësitë ekonomike, përfshirë rritjen e çmimeve dhe taksave, por autoritetet ruse u përpoqën të theksonin stabilitetin ekonomik, ndërsa banka qendrore njoftoi uljen e normës së interesit në 16%.

Presidenti rus akuzoi sërish Perëndimin se po krijon një armik nga Rusia dhe pretendoi se vendet perëndimore po zhvillojnë luftë kundër Moskës me duart e Ukrainës.

Ai tha se Rusia është e gatshme të bashkëpunojë me SHBA-në, Evropën dhe Mbretërinë e Bashkuar, por vetëm si e barabartë dhe me respekt të ndërsjellë.

Deklaratat e Putinit vijnë në një kohë kur shërbimet evropiane të inteligjencës paralajmërojnë se Rusia mund të përbëjë kërcënim për NATO-n në vitet e ardhshme, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se një marrëveshje paqeje për Ukrainën është më afër se kurrë.

ME TE LEXUARAT