“Sapo e bleva këtë bishë”/ 18-vjeçari përplas keq të moshuarin, largohet dhe shkon të hajë pica

Bota

“Sapo e bleva këtë bishë”/ 18-vjeçari

Një 18-vjeçar në Britani është dënuar me tre vite burg pasi përplasi me makinë një këmbësor 84-vjeçar, e la të plagosur rëndë dhe u largua nga vendi i aksidentit pa i dhënë ndihmë.

Sonny Horsfall u shpall fajtor nga Gjykata e Kurorës në Durham për shkaktim të lëndimeve të rënda përmes drejtimit të rrezikshëm të automjetit, drejtim pa leje, mungesë siguracioni dhe largim nga vendi i aksidentit. Gjithashtu, gjykata i ka ndaluar drejtimin e automjeteve për katër vite.

Aksidenti ndodhi mbrëmjen e 22 prillit në Redcar, North Yorkshire. Sipas hetimeve, Horsfall humbi kontrollin e një automjeti Audi A4 të sapoblerë, doli në trotuar dhe përplasi 84-vjeçarin Eddie, i cili po kthehej në shtëpi.

Pamjet e kamerave të sigurisë treguan momentin kur automjeti doli nga rruga dhe goditi të moshuarin, ndërsa 18-vjeçari u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Hetimet zbuluan edhe materiale të regjistruara në telefonin e tij, ku ai shfaqej duke drejtuar me shpejtësi të lartë, duke kryer manovra të rrezikshme dhe duke kaluar semaforë me dritë të kuqe.

Në një prej videove, ai dëgjohej duke thënë: “Sapo e bleva këtë bishë”, ndërsa në një tjetër shprehej: “Në djall me dritën e kuqe”.

Pas aksidentit, i riu u kthye në shtëpi, porositi pica dhe u dërgoi mesazhe zanore miqve përmes Snapchat-it. Në një prej tyre ai tha: “Nuk e di çfarë godita… po ha pica”, ndërsa më pas pranoi se mendonte se mund të kishte plagosur rëndë ose vrarë dikë.

Prokuroria bëri të ditur se në momentin e aksidentit Horsfall nuk kishte patentë drejtimi, ishte i skualifikuar për të drejtuar automjete dhe makina nuk ishte e siguruar.

Si pasojë e përplasjes, 84-vjeçari pësoi fraktura të shumta në legen, shpinë dhe këmbën e djathtë. Ai kaloi disa ditë në kujdes intensiv dhe, edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale, vijon të ketë vështirësi të mëdha në lëvizje dhe dhimbje të vazhdueshme.

ME TE LEXUARAT