“Shkatërrim total”, BBC brenda Gazës pas dy viteve luftë (Video)

Vizita e shkurtër ishte shumë e kontrolluar dhe nuk kishte qasje te palestinezët ose te zonat e tjera të Gazës.
Pyetur për nivelin e shkatërrimit në zonën që vizituam, zëdhënësi ushtarak izraelit Nadav Shoshani tha se “nuk kishte qëllime shkatërruese nga Izraeli”.
“Qëllimi është të luftohen terroristët. Pothuajse çdo shtëpi kishte një gropë tuneli ose ishte e mbushur me pajisje shpërthyese ose kishte një RPG [granatë e lëshuar me raketë] ose post snajperi”, tha ai.
“Nëse ecni shpejt, brenda një minute mund të jeni brenda dhomës së një gjysheje izraelite ose fëmije. Kjo ndodhi më 7 tetor”.
Më shumë se 1,100 njerëz u vranë në sulmet e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe 251 të tjerë u morën peng. Që atëherë, më shumë se 68,000 banorë të Gazës janë vrarë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, e drejtuar nga Hamasi.
Trupat e disa pengjeve janë gjetur në këtë zonë, tha Lt Col Shoshani, përfshirë atë të Itay Chen, i kthyer këtë javë në Izrael nga Hamasi. Kërkimet vazhdojnë për trupat e munguar të shtatë pengjeve të tjera.
Baza ushtarake izraelite, ku BBC udhëtoi, është disa qindra metra nga linja e verdhë, kufiri i përkohshëm i vendosur nga plani i paqes i Presidentit amerikan Donald Trump, i cili ndan zonat e Gazës që ende kontrollohen nga forcat izraelite, nga zonat që kontrollohen nga Hamasi.
Ushtarët izraelitë kanë filluar gradualisht të shënojnë linjën e verdhë me blloqe në tokë, si paralajmërim për luftëtarët e Hamasit dhe civilët.
Armëpushimi ka pothuajse një muaj që është në fuqi, por forcat izraelite thonë se ende luftojnë me luftëtarët e Hamasit përgjatë linjës së verdhë, “pothuajse çdo ditë”. Pileta e fishekëve tregon vendet ku është qëlluar me armë zjarri në mbikalime.
Hamasi ka akuzuar Izraelin për shkelje të armëpushimit qindra herë dhe Ministria e Shëndetësisë e Hamasit thotë se më shumë se 240 njerëz janë vrarë.
Koloneli Shoshani tha se forcat izraelite janë të përkushtuara ndaj planit të paqes të udhëhequr nga SHBA-ja, por se gjithashtu do të sigurojnë që Hamasi nuk paraqet më kërcënim për civilët izraelitë dhe do të qëndrojnë sa të nevojitet.
“Është shumë e qartë për të gjithë se Hamasi është i armatosur dhe po përpiqet të kontrollojë Gazën”, tha ai. “Kjo është diçka që do të zgjidhet, por jemi larg nga ajo ditë”.
Faza tjetër e planit të udhëhequr nga SHBA-ja kërkon që Hamasi të dorëzojë armët dhe t’ia japë pushtetin një komiteti palestinez të mbikëqyrur nga figura ndërkombëtare, përfshirë Presidentin Trump.
Por në vend që të dorëzojë pushtetin dhe armët, Koloneli Shoshani tha se Hamasi po bën të kundërtën.
“Hamasi po përpiqet të armatoset, të afirmojë dominimin, të afirmojë kontrollin mbi Gazën”, tha ai. “Po vret njerëz në mes të ditës, për të terrorizuar civilët dhe për t’u siguruar që ata ta kuptojnë se kush komandon në Gaza. Shpresojmë që kjo marrëveshje të ushtrojë presion të mjaftueshëm, për t’u siguruar që Hamasi të dorëzojë armët”.
Forcat izraelite i treguan BBC-së një hartë të tuneleve që thanë se ushtarët i kishin gjetur nën rrënojat e “një rrjeti të madh tunelesh, pothuajse si rrjeta merimange”.
Çfarë ndodh në fazën tjetër të kësaj marrëveshjeje për paqen është e paqartë. Marrëveshja ka lënë Gazën në një situatë të tensionuar. Uashingtoni e di sa e brishtë është situata, armëpushimi është rrëzuar dy herë tashmë.
SHBA-ja po shtyn fort për të kaluar nga ky ngërç i paqëndrueshëm drejt një paqeje më të qëndrueshme. Ka dërguar një projekt-rezolutë tek anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dokument i parë nga BBC, që përcakton një mandat dyvjeçar për një forcë ndërkombëtare stabilizimi, për të marrë kontrollin e sigurisë së Gazës dhe për të çarmatosur Hamasin.
Por, detajet e fazës tjetër të marrëveshjes janë të pakta, nuk është e qartë se cilat vende do të dërgojnë trupa për të siguruar Gazën para çarmatimit të Hamasit, kur forcat izraelite do të tërhiqen, ose si do të emërohen anëtarët e administratës së re teknokratike të Gazës.
Presidenti Trump ka paraqitur vizionin e tij për Gazën si një qendër futuriste e Lindjes së Mesme, e ndërtuar me investime të huaja. Kjo është shumë larg asaj që është Gaza sot.
Rripi i Gazës është shumë i shkatërruar nga Izraeli dhe i parë si një investim nga Trump. Tashmë, pyetja nuk është vetëm se kush mund të ndalojë luftimet, por se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e vendasve.


