Shpërthim në Natanz, Iran / Goditet një nga fabrikat më të mëdha të pasurimit të uraniumit në botë

Shpërthime pranë Natanzit në Iran, zonë ku ndodhet një nga impiantet më të mëdha të pasurimit të uraniumit
Mediat shtetërore iraniane raportuan për shpërthime pranë qytetit të Natanzit, në Iranin qendror, një zonë e njohur për praninë e një prej impianteve më të mëdha të pasurimit të uraniumit në vend.
Natanz konsiderohet një nga qendrat kryesore të programit bërthamor iranian, ku funksionon një kompleks i madh për pasurimin e uraniumit, pjesërisht i ndërtuar në struktura nëntokësore të mbrojtura.
Kompleksi ka qenë disa herë objekt sulmesh gjatë viteve të fundit. Ai u bombardua edhe gjatë konfliktit të njohur si lufta 12-ditore e vitit 2025, kur u goditën disa objekte të programit bërthamor iranian.
Së fundmi, sipas vlerësimeve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), imazhet satelitore kanë treguar dëmtime në disa ndërtesa hyrëse të impiantit nëntokësor të pasurimit në Natanz, megjithëse nuk është raportuar për pasoja radiologjike.
Autoritetet iraniane nuk kanë dhënë ende detaje të plota mbi shkaqet e shpërthimeve apo mbi dëmet e mundshme në kompleksin bërthamor./Lajmi i Fundit


