Shtëpia e Bardhë: NATO i kthyu shpinën SHBA-së! E papranueshme mbyllja Hormuzit nga Irani

Shtëpia e Bardhë akuzoi sot shtetet anëtare të NATO-s se i kanë kthyer shpinën Shteteve të Bashkuara duke mos i mbështetur ato në luftën kundër Iranit.
“Ata u vunë në provë dhe dështuan”, tha zëdhënësja Karoline Leavitt në një konferencë për shtyp, duke cituar drejtpërdrejt presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
“Do të shtoja se është mjaft e trishtueshme që NATO u ka kthyer shpinën amerikanëve gjatë gjashtë javëve të fundit, kur janë amerikanët ata që po financojnë mbrojtjen e tyre”, theksoi ajo.
”Presidenti Trump, i cili ka planifikuar të takohet me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte në Uashington sot pasdite, do të diskutojë me të mundësinë e largimit të Shteteve të Bashkuara nga aleanca”, deklaroi Leavitt.
Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi sot se do të ishte e papranueshme që Irani të bllokonte përsëri Ngushticën e Hormuzit, pas lajmit nga agjencia iraniane e lajmeve, Fars se ajo ishte mbyllur.
“Presidenti u informua për këto të dhëna para se të vija këtu për një konferencë shtypi. Kjo është krejtësisht e papranueshme. Edhe një herë tjetër, ky është një shembull ku ajo që ata thonë publikisht nuk përputhet me atë që thonë në privat”, deklaroi Karoline Leavitt.
“Ne kemi parë një rritje të kalimeve në ngushticë sot”, shtoi ajo, pas pohimit nga Fars se “në orët e fundit, kalimi i anijeve nafte në ngushticën e Hormuzit është ndërprerë plotësisht” dhe “kjo situatë ka ndodhur pas sulmit izraelit ndaj Libanit, në shkelje të armëpushimit”.


