Si qëndron misteri i miliarda eurove në llogarit të fjetura” në Gjermani, askush nuk po i kërkon?

Mijëra llogari bankare të harruara dhe miliarda euro që qëndrojnë të bllokuara pa u prekur prej vitesh. Ky është fenomeni i ashtuquajtur i “llogarive të fjetura”, që po ngre shqetësime të mëdha në Gjermani.
Sipas një raporti të Ministrisë gjermane të Kërkimit, në llogari joaktive mund të jenë të depozituara mbi 4 miliardë euro, ndërsa disa vlerësime e çojnë këtë shumë deri në 9 miliardë euro. Shumë prej këtyre parave mbeten të pazbuluara pasi pronarët ndërrojnë jetë dhe trashëgimtarët nuk kanë asnjë informacion për ekzistencën e tyre.
Epoka digjitale e ka bërë problemin edhe më të madh. Nëse dikur dokumentet bankare ruheshin në shtëpi, sot shumica e të dhënave ndodhen në e-mail-e, aplikacione apo pajisje elektronike, duke e bërë shumë më të vështirë gjurmimin e pasurive të harruara.
Aktualisht, Gjermania nuk ka një regjistër kombëtar për llogaritë e fjetura. Ekspertët kërkojnë krijimin e një baze të centralizuar të të dhënave, që do t’u mundësonte familjarëve të verifikonin nëse të afërmit e tyre kanë lënë pas llogari bankare apo investime të pareklamuara.
Ndërkohë, vende të tjera kanë zgjedhur rrugë të ndryshme. Në Britaninë e Madhe, fondet nga llogaritë e fjetura përdoren për projekte sociale dhe mjedisore, por pronarët kanë të drejtë t’i kërkojnë ato në çdo moment. Në Francë dhe Zvicër, rregullat janë më të ashpra, pasi pas shumë vitesh pa aktivitet, paratë mund të kalojnë përfundimisht në pronësi të shtetit.
Pyetja mbetet: sa pasuri të fshehura mund të jenë ende duke pritur pronarët e tyre të ligjshëm?


