Tensionet me Trump/ Tajani: Italia nuk do t’u përgjigjet më provokimeve të presidentit amerikan

Bota

Tensionet me Trump/ Tajani: Italia nuk do t’u përgjigjet më

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ka deklaruar se qeveria italiane do të ndryshojë qasje ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, duke vendosur të mos reagojë më ndaj komenteve që i cilëson si provokuese.

Në një intervistë për gazetën italiane La Stampa, Tajani tha se komentet e Trump shpesh janë pjesë e mënyrës së tij të komunikimit dhe se përgjigjet publike mund të krijojnë tensione të panevojshme mes aleatëve.

“Trump flet për veten e tij. Ne kemi një president të SHBA-së që i pëlqen të provokojë, veçanërisht në mediat sociale. Kemi vendosur të ndalojmë së iu përgjigjuri këtyre vërejtjeve, në mënyrë që të mos nxisim mosmarrëveshje midis aleatëve tanë”, u shpreh Tajani.

Megjithatë, ministri italian theksoi se marrëdhëniet mes Romës dhe Uashingtonit mbeten strategjike.

“Ne jemi dhe do të mbetemi miq të Shteteve të Bashkuara si partneri ynë strategjik dhe i Evropës”, shtoi ai.

Deklarata e Tajani vjen pas disa përplasjeve publike mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe presidentit amerikan. Muajin e kaluar, Meloni kritikoi Trumpin pasi ai deklaroi në një intervistë televizive italiane se ajo i ishte “lutur” për një fotografi gjatë samitit të G7 në Francë.

Tensionet u rikthyen sërish pas një postimi të Trump në platformën Truth Social, ku ai publikoi një fotografi të Melonit me një mbishkrim që u interpretua si ironi ndaj saj.

Meloni ka qenë më herët një nga mbështetëset më të afërta evropiane të Trumpit dhe ishte liderja e vetme europiane që mori pjesë në inaugurimin e tij në vitin 2025. Megjithatë, marrëdhënia mes tyre është komplikuar pas disa përplasjeve politike.

Së fundmi, kryeministrja italiane ka kritikuar disa qëndrime të Trumpit, ndërsa presidenti amerikan është përgjigjur me kritika ndaj saj.

Ndërkohë, të dy liderët pritet të marrin pjesë në Samitin e NATO-s në Ankara, ku pritet të diskutojnë çështje të sigurisë dhe bashkëpunimit mes aleatëve.

ME TE LEXUARAT