Trump paralajmëron: Nëse Rusia nuk lëviz drejt paqes, do të shpallim luftë ekonomike
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka hedhur poshtë mundësinë e një takimi të afërt mes Vladimir Putinit dhe Volodymyr Zelenskyt, duke paralajmëruar se SHBA-ja mund të shpallë një luftë ekonomike kundër Moskës nëse Rusia nuk ndërmerr hapa drejt paqes.
“Unë dua që lufta të përfundojë. Ajo që kam në mendje është shumë serioze, nëse më duhet ta bëj. Nuk do të jetë një luftë botërore, por një luftë ekonomike, dhe kjo do të jetë shumë e keqe për Rusinë”, deklaroi Trump nga Shtëpia e Bardhë.
Ai shtoi se edhe pala ukrainase “nuk është plotësisht e pafajshme”, duke kritikuar mënyrën si menaxhohen marrëdhëniet dhe ndihma ushtarake. Trump theksoi gjithashtu marrëdhëniet e tij personale me Putinin dhe mundësinë e përdorimit të sanksioneve për të shmangur viktima.
Që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, SHBA dhe vendet perëndimore kanë vendosur një seri sanksionesh të rënda, ndërsa Trump paralajmëron se mund të ketë masa të reja ekonomike, pa dhënë detaje konkrete.
Ndërkohë, udhëheqësit ushtarakë ukrainas raportojnë për zhvillime në lindje të vendit, ku Rusia ka shënuar përparime kundër forcave ukrainase. Zelensky kërkon më shumë armë nga Perëndimi dhe mbështetje për të frenuar avancimet ruse, ndërsa paralajmërimi i Trumpit rikthehet si një kërcënim i drejtpërdrejtë për Moskën.