Trump rrëzon politikën klimatike, anulon vendimin për gazrat serrë, përplasje me ambientalistët

Bota

Trump rrëzon politikën klimatike, anulon vendimin për gazrat

Presidenti amerikan Donald Trump ka shfuqizuar një vendim kyç shkencor të epokës së Obamës, i cili ka shërbyer si bazë për të gjitha veprimet federale për kufizimin e gazeve që ngrohin planetin.

Vendimi i 2009-tës dilte në përfundimin se një sërë gazesh serrë përbëjnë kërcënim për shëndetin publik, dhe pikërisht kjo masë u kthye në themelin ligjor të përpjekjeve federale për të frenuar emetimet, sidomos në sektorin e automjeteve.

Por Shtëpia e Bardhë e cilësoi shfuqizimin si historik, duke thënë se kjo do t’i bëjë makinat më të lira dhe do t’u ulë kostot prodhuesve me rreth 2,400 dollarë për automjet.

Nuk e shohin kështu grupet për mbrojtjen e mjedisit, të cilat e përshkruan këtë lëvizje si zbrapsjen më të madhe të politikave për klimën, dhe paralajmëruan se do ta çojnë çështjen në gjykatë.

Trumpi vetë e cilësoi vendimin e vitit 2009 “një politikë katastrofike të epokës Obama që dëmtoi rëndë industrinë amerikane të automobilave.

“Ky hap radikal u kthye në gurthemelin ligjor të Green New Scam, një nga mashtrimet më të mëdha në histori, që, veç të tjerash, rriti ndjeshëm çmimet për konsumatorët amerikanë”, u shpreh Trump.

Ish-presidenti Barack Obama, i cili rrallëherë ka zgjedhur të komentojë politikat e presidentëve në detyrë, u shpreh përmes një postimi në platformën X se shfuqizimi i këtij vendimi do t’i bëjë amerikanët më të cenueshëm.

“Pa të, ne do të jemi më pak të sigurt, më pak të shëndetshëm dhe më pak të aftë për të luftuar ndryshimet klimatike, e gjitha kjo vetëm që industria e lëndëve djegëse fosile të fitojë akoma edhe më shumë para”, ishte mesazhi i tij.

ME TE LEXUARAT