VIDEO/ Incident në festivalin e krishterë në Britani, tabela shembet mbi turmën, 6 të plagosur

Gjashtë persona kanë mbetur të plagosur të premten pasdite, pasi një tabelë reklamuese u shemb mbi pjesëmarrësit në një festival muzikor të krishterë në West Sussex të Britanisë së Madhe.
Ngjarja ndodhi në Festivalin e Kishës së Madhe, pranë Steyning, rreth orës 15:30 me kohën lokale. Pas raportimeve për disa persona që kishin nevojë për ndihmë mjekësore, në vendngjarje u mobilizuan disa ambulanca dhe ekipe mjekësore.
Six people have been injured by a falling sign at a Christian festival near Steyning.
— BBC Sussex (@BBCSussex) August 28, 2026
More here: https://t.co/eU7a9Vndnl pic.twitter.com/9dsvgtvplJ
Organizatorët njoftuan pezullimin e festivalit pas asaj që e cilësuan si një “incident serioz”, duke bërë të ditur se asnjë aktivitet tjetër nuk do të zhvillohej gjatë së premtes.
“Para së gjithash, mendimet dhe lutjet tona janë me ata që janë prekur drejtpërdrejt nga incidenti”, deklaruan organizatorët, ndërsa shprehën keqardhje për mijëra pjesëmarrësit që ishin mbledhur në festival.
Ata thanë se po bashkëpunojnë me shërbimet e emergjencës dhe autoritetet për të menaxhuar situatën dhe se informacionet e mëtejshme do të bëhen publike në vijim.
Pas incidentit, pjesëmarrësve iu kërkua të largoheshin nga zona e festivalit. Kampistëve iu tha të ktheheshin në hapësirat e tyre të kampingut dhe të prisnin udhëzimet e radhës, ndërsa atyre që dëshironin të largoheshin iu dha kjo mundësi.
Festivali i Kishës së Madhe, i themeluar në vitin 2009, konsiderohet një nga eventet më të mëdha të krishtera në Mbretërinë e Bashkuar. Edicioni i këtij viti ishte shitur plotësisht dhe kishte nisur të premten, me programin që ishte planifikuar të vijonte deri të dielën.
Shkaqet e rrëzimit të tabelës dhe gjendja e plotë e të plagosurve pritet të bëhen të ditura pas hetimeve të autoriteteve.


