Vrasja e britanikes në Athinë, zbulohen pamjet kur 26-vjeçari ka transportuar valixhen me trupin e saj!

Kanë dalë detaje të reja nga vrasja e 38-vjeçares britanike në Athinë. Qetësia dhe mënyra e planifikuar e veprimit të 26-vjeçarit afgan pas vrasjes së britanikes 38-vjeçare janë zbuluar përmes pamjeve filmike që policia ka gjetur gjatë hetimeve për ngjarjen.
Në video, i riu shfaqet në qendër të Athinës, menjëherë pasi ka marrë një valixhe të madhe udhëtimi, të cilën e tërheq në rrugë, duke krijuar pamjen e një personi që thjesht po përgatitej të udhëtonte dhe po transportonte sendet e tij personale.
Por, sipas hetuesve, në atë valixhe ndodhej trupi i viktimës së tij, 38-vjeçares britanike Elizabeth Ross, të cilin ai e kishte vendosur aty pak pas vrasjes.
Dyshohet se pasi kishte planifikuar ta hidhte trupin në një banesë të braktisur në zonën e Kypselit, ku u gjet tetë ditë pas krimit, i akuzuari kishte nisur paralelisht edhe një skemë mashtrimi.
Ai dërgonte mesazhe duke përdorur telefonin e viktimës dhe përpiqej të krijonte te rrethi i saj shoqëror përshtypjen se 38-vjeçarja ishte ende gjallë. Sipas hetuesve, ai tentoi të paraqitej sikur ishte vetë viktima, duke komunikuar nga pajisja e saj.
Në ditët e para pas gjetjes së trupit, 26-vjeçari mund të ketë menduar se autoritetet nuk do të arrinin tek ai, pasi identiteti i viktimës nuk ishte zbuluar ende. Pa këtë informacion, hetimi bëhet shumë më i vështirë, pasi policia nuk mund të analizojë rrethin e viktimës, motivet e mundshme dhe rrethanat e ngjarjes. Por pas identifikimit të gruas përmes zyrës së Interpolit në Ëashington, hetimi mori një tjetër drejtim dhe koha nisi të ngushtohej për të dyshuarin, shkruan Protothema.
Lëvizjet e të dyshuarit pas krimit
Mbrëmjen e 16 korrikut, i dyshuari është filmuar duke mbërritur me makinë në rrugën Rethymnou, në zonën e Eksarkisë, ku jetonte ai dhe partnerja e tij, ndërsa viktima kishte qëndruar aty që prej 2 korrikut.
Pamjet tregojnë 26-vjeçarin duke u larguar nga banesa duke mbajtur një valixhe të madhe udhëtimi.
Pak më vonë, në orën 22:43, kamerat e sigurisë e kanë regjistruar duke ecur në këmbë në rrugën Evelpidon, duke transportuar valixhen ku ndodhej trupi i britanikes, si dhe një qese blu me përmbajtje të panjohur.
Trembëdhjetë minuta më pas, ai shfaqet duke u larguar nga zona pa valixhen dhe pa qesen, ndërsa në duar kishte vetëm një çantë shpine me ngjyrë të hapur.
Si arritën hetuesit te gjurmët e tij
Vrasja e britanikes në Athinë, zbulohen pamjet kur 26-vjeçari ka transportuar valixhen me trupin e saj!
Mediat helene kanë bërë publike pamjet kur autori i ngjarjes .
38-vjeçarja kishte mbërritur në Greqi më 29 qershor nga Edinburgu. Ajo kishte një histori disa-vjeçare angazhimi vullnetar në kisha dhe organizata humanitare në vende të ndryshme. Ajo përshkruhej nga të afërmit si një person i qetë, i dashur dhe jo konfliktual.
Që prej 2 korrikut, 38-vjeçarja qëndronte në një apartament në katin përdhe në rrugën Rethymnou, në Eksarki. Çelësat e banesës i kishin gjithashtu i dyshuari dhe partnerja e tij.
Kjo e fundit ka deklaruar se pak pas mesnatës së 15 dhe 16 korrikut ishte zgjuar dhe kishte konstatuar se bashkëshorti i saj nuk ndodhej në shtëpi. Përmes funksionit të përbashkët të lokalizimit të telefonit, ajo kishte parë se ai ndodhej në atë apartament.
Gjurmët e fundit të sigurta të jetës së britanikes datojnë në orën 21:41 të 15 korrikut, kur ajo kishte komunikuar në telefon me një person të afërt. Më pas, miqtë dhe familjarët vunë re se mesazhet që vinin nga telefoni i saj kishin një stil të ndryshëm komunikimi dhe ndryshime gjuhësore, ndërsa ajo dukej papritur e izoluar.
Për hetuesit, këto elemente forcuan dyshimin se telefoni i viktimës përdorej tashmë nga një person tjetër, me qëllim krijimin e një imazhi të rremë se gruaja ishte ende gjallë.
Më 19 korrik, telefoni i viktimës u aktivizua në Arachova. Sipas analizës së të dhënave telefonike dhe pamjeve filmike, në të njëjtën zonë ndodhej edhe i dyshuari bashkë me partneren dhe fëmijën e tyre.
Dyshimet e partneres së 26-vjeçarit
Një rëndësi të veçantë për hetimin ka edhe dëshmia e partneres së të dyshuarit. Ajo ka deklaruar se pasi më 30 korrik u bë zyrtarisht identifikimi i gruas së vrarë, nisi të dyshonte për përfshirjen e partnerit të saj në ngjarje.
Ajo u largua nga banesa bashkë me foshnjën e tyre dhe u vendos në një hotel. Sipas dosjes hetimore, në atë periudhë 26-vjeçari i kishte dhënë asaj 2550 euro, ndërsa një ditë pas zhdukjes së britanikes i kishte dhuruar edhe një telefon të ri iPhone 17 Pro.
Partnerja e tij ua dorëzoi autoriteteve si telefonin, ashtu edhe paratë, pasi dyshonte se ato mund të kishin ardhur nga pasuria e viktimës.


