Vrasja e ish-ministres, arrestohet një 26-vjeçar! Policia përjashton motivin terrorist

Policia britanike ka arrestuar një 26-vjeçar, i dyshuar për vrasjen e ish-ministres konservatore Ann Widdecombe, e cila u gjet e pajetë në banesën e saj të enjten.
Në pranga është vënë një shtetas britanik i bardhë, i cili dyshohet se ka lidhje me ngjarjen. Autoritetet bënë të ditur se 78-vjeçarja u gjet në shtëpinë e saj me plagë të rënda dhe se hetimet po zhvillohen për veprën penale të vrasjes. Policia theksoi se, deri në këtë fazë të hetimeve, ngjarja nuk po trajtohet si akt terrorist dhe nuk ka asnjë informacion që të sugjerojë se krimi ka pasur motive politike.
Ann Widdecombe ishte një nga figurat më të njohura të politikës britanike. Ajo shërbeu për 23 vite si deputete e Partisë Konservatore, duke përfaqësuar zonën e Maidstone në Kent, ndërsa më vonë u bë zëdhënëse e partisë Reform UK.
Menaxhmenti i saj deklaroi se familja dhe të afërmit kanë kaluar “24 orë shumë traumatike dhe të dhimbshme”. Në reagimin e parë pas njoftimit të vdekjes, ata nuk dhanë detaje mbi vendin, kohën apo rrethanat në të cilat humbi jetën ish-ministrja.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në politikën britanike. Kryeministri Keir Starmer e cilësoi hetimin për vrasje si “një lajm tronditës”, duke shtuar se i dyshuari është “qartësisht një person i rrezikshëm”.
Edhe liderja e Partisë Konservatore, Kemi Badenoch, reagoi pas arrestimit, duke u shprehur se ishte “e tronditur” nga incidenti, të cilin e përshkroi si “të tmerrshëm”. Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet britanike po punojnë për të zbardhur plotësisht motivin dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje që ka tronditur opinionin publik në Mbretërinë e Bashkuar.


