Zbardhet biseda telefonike mes Orban dhe Putin për luftën në Ukrainë

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, i ka ofruar vitin e kaluar presidentit rus Vladimir Putin ndihmë të plotë, duke përfshirë edhe organizimin e një samiti në Budapest për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.
Informacioni vjen nga Bloomberg News, i bazuar në transkriptin e një bisede telefonike mes dy liderëve.
Orban, në pushtet që nga 2010, i referohet Putinit si “mik” dhe shprehet se është i gatshëm të ndihmojë “menjëherë… në çdo çështje ku mund të kontribuoj”.
Putin, nga ana e tij, e vlerëson Orbanin si të “pavarur dhe fleksibël” dhe sugjeron Budapestin si mundësinë më të pranueshme evropiane për një takim të mundshëm me presidentin Donald Trump.
Lidhjet e ngushta të Hungarisë me Rusinë dhe varësia nga energjia ruse, së bashku me bllokimin e një kredie të BE-së për Ukrainën, e vendosin Orbanin në një pozicion kritik në prag të zgjedhjeve të 12 prillit, ku ai përballet me sfidën më të vështirë për rizgjedhje në 16 vitet e fundit.
Transkripti dhe një audioklip i mëparshëm, ku flasin edhe ministrat e jashtëm hungarez dhe rus, zbulojnë diskutime mbi sanksionet e BE-së dhe mbështetje të mundshme për strategjitë ruse, duke nxitur debat të gjerë mbi qëndrimin e Hungarisë ndaj konfliktit në Ukrainë.


