Zelensky: Putin ka nisur Luftën e Tretë Botërore, nevojitet presion i fortë ndaj Rusisë

Bota

Zelensky: Putin ka nisur Luftën e Tretë Botërore, nevojitet

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se presidenti rus Vladimir Putin e ka nisur tashmë Luftën e Tretë Botërore, duke theksuar se e vetmja mënyrë për ta ndalur është përmes presionit intensiv ushtarak dhe ekonomik që do ta detyronte Moskën të tërhiqet.

Në një intervistë për BBC, Zelensky u shpreh se Rusia synon të zgjerojë kontrollin territorial dhe të imponojë një model tjetër jetese. “Unë besoj se Putini e ka filluar tashmë. Pyetja është sa territor do të arrijë të pushtojë dhe si mund ta ndalojmë. Rusia kërkon t’i imponojë botës një mënyrë tjetër jetese dhe të ndryshojë zgjedhjet e lira të njerëzve”, tha ai.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në prag të bisedimeve për armëpushim në Gjenevë, ka deklaruar se Ukraina duhet të ulet sa më shpejt në tryezën e negociatave. Sipas raportimeve të BBC-së, Trump po ushtron më shumë presion ndaj Kievit sesa ndaj Moskës. Diplomate perëndimorë kanë sinjalizuar se ai e sheh si të domosdoshëm kompromisin territorial nga ana e Ukrainës për të arritur një armëpushim, mundësisht para verës së ardhshme.


Ndërkohë, disa analistë vlerësojnë se Ukraina e ka të vështirë të fitojë luftën pa bërë lëshime ndaj Rusisë. Megjithatë, Zelensky e ka hedhur poshtë këtë skenar, duke theksuar se vendi i tij po lufton për pavarësi dhe nuk do të dorëzohet. “A do të humbasim? Sigurisht që jo, sepse po luftojmë për pavarësinë e Ukrainës”, u shpreh ai.

Sipas Zelenskyt, fitorja nënkupton rikthimin e jetës normale për qytetarët ukrainas dhe ndalimin e vrasjeve, por edhe frenimin e një kërcënimi më të gjerë global që, sipas tij, vjen nga Kremlini. “Ndalimi i Putinit sot dhe parandalimi i pushtimit të Ukrainës është fitore për gjithë botën, sepse ai nuk do të ndalet vetëm te Ukraina”, deklaroi presidenti ukrainas.

Këto zhvillime shënojnë katër vjet nga momenti kur Putin shpalli në televizionin kombëtar nisjen e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, të cilin Kremlini e quan “operacion ushtarak special”. Konflikti ka tejkaluar tashmë në kohëzgjatje edhe përfshirjen e Rusisë në Luftën e Dytë Botërore (1941–1945).

Sipas të dhënave të verifikuara nga BBC dhe media e pavarur ruse MediaZona, numri i ushtarëve rusë të vrarë në luftime ka kaluar 186 mijë, shifër që është shumëfish më e lartë krahasuar me humbjet e Bashkimit Sovjetik gjatë luftës dhjetëvjeçare në Afganistan në vitet ’80.

ME TE LEXUARAT