“Dënimi godet luftën e UÇK”, Gëzon Berisha: Nëse ata janë fajtorë, fajtor është çdo ushtar i UÇK-së

Kosovë&Rajon

“Dënimi godet luftën e UÇK”, Gëzon Berisha:

Gjykata në Hagë nuk ka dënuar vetëm 4 ish liderët e UCK, por edhe këdo që ka luftuar për pavarësinë e Kosovës deklaron me bindje Gëzon Berisha, miku i Kadri Veselit dhe ushtar e bashkëpunëtor në Ushtrinë çlirimtarë të Kosovës.

Në një intervistë për Top Channel, ai kërkon të mos tjetërsohet historia e luftës së drejtë e të pastër për liri në kundërpërgjigje të gjenocidit serb.

“Nëse njëri prej tyre është fajtor, atëherë pjesë e atij faji jam dhe unë dhe çdo ushtar i Ushtrisë Çlirimtare”, shprehet Gëzon Berisha, ushtar në UÇK.

-Keni bërë ju krime lufte, tortura?

Gëzon Berisha: Absolutisht jo. Kjo gjykatë është themeluar për Shtëpinë e Verdhë dhe ajo dështoi. Asnjë dëshmitar aty nuk ka qenë tamam, kanë qenë të manipuluar, mashtrues, shumica prej tyre janë edhe bashkëpunëtore të Serbisë. Është turp për ndërkombëtarët me çfarë dëshmish kanë vendosur.

Gëzoni përcolli djalin e Kadri Veselit për në Hagë me shpresën se sakrifica e tyre do të përfundonte me drejtësi. Por lajmi ka vrarë shpresën e popullit të Kosovës dhe është përjetuar me tronditje të thellë.

“Një ndër fjalët që biseduam ishte mos hajde pa trimat. Mos na u kthe pa ta! Unë procesin gjyqësor e kam ndjekur në zyrë dhe me thënë të drejtën mu përmbys. Madje edhe hapje qetësimi kam përdorur se nuk kam mundur të përballoj atë goditje aq të madhe që nuk e kam pasur nga paslufta deri më sot”, u shpreh më tej.

Për ushtarin e UÇK dënimi nuk ka emra të përveçëm, por këmbëngul se aktgjykimi dëmton historinë e vendit dhe ndaj ka një ftesë për të qenë njëzëri në thirrjen: në emër të popullit jeni të pafajshëm.

“Nuk është çështja këtu po dënohet Jakupi, Hashimi, Veseli apo Rexha… po dënohet lufta! Po nëse dënohet i zoti i shtëpisë, dënohet gjithë ajo shtëpi. I ftoj të gjithë shqiptarët anembanë të bëhemi bashkë për shkallën e dytë të jemi unik”, përfundon Gëzon Berisha.

Familjarët dhe mbrojtja po ndjekin hapa të mëtejshme për të apeluar vendimin me 81 vite burg për ish krerët e UÇK.

 

ME TE LEXUARAT