Alarm në Greqi nga zjarret, turistët evakuohen nga deti – 500 persona të izoluar nga flakët

Kosovë&Rajon

Alarm në Greqi nga zjarret, turistët evakuohen nga deti – 500

Qindra banorë dhe turistë janë evakuuar nga deti në Greqinë qendrore, pasi zjarret rrethuan disa zona bregdetare. Situata mbetet kritike edhe në Kretë dhe në disa vende të tjera europiane.

Rreth 500 persona, kryesisht turistë, mbetën të izoluar në Agios Vasileios të Viotisë, pasi zjarri shpërtheu të premten në mëngjes dhe u përhap me shpejtësi për shkak të erërave të forta.

Ekipet e emergjencës po përpiqen të evakuojnë edhe banorët dhe turistët që ndodhen ende në zonë.

Autoritetet u kishin bërë thirrje qytetarëve të lëviznin drejt brendësisë së territorit, përpara se flakët të arrinin në periferi të qytetit. Një tjetër vatër zjarri shpërtheu më tej përgjatë bregdetit, duke djegur toka bujqësore dhe duke kaluar përmes zonës rurale të Xironomit.

Situata mbetet e rëndë edhe në Kretë, ku zjarrfikësit vijojnë luftën me vatrat aktive të një zjarri që ka përfshirë mijëra hektarë dhe ka shkaktuar evakuimin e përkohshëm të rreth 8 mijë personave.

Zjarre janë raportuar gjithashtu në ishujt Paros, Andros dhe Kalymnos. Greqia është një nga disa vendet europiane që po përballen me flakë të fuqishme pas valëve të njëpasnjëshme të të nxehtit.

Në Spanjë janë djegur mbi 200 mijë hektarë gjatë vitit 2026, ndërsa në Portugali një zjarr pranë Valpaços ka përfshirë rreth 15 mijë hektarë, duke dëmtuar vreshta dhe ullishte. Pesë persona janë lënduar.

Edhe Turqia po përballet me dhjetëra vatra, përfshirë zona pranë Antalias. Sipas autoriteteve, që prej së mërkurës janë regjistruar 206 zjarre në të gjithë vendin.

ME TE LEXUARAT