SHBA “presion” Kosovës e Serbisë për Marrëveshjen e Ohrit!

Pak pasi ofruan bashkëpunim të plotë me qeverinë që do të dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, Shtetet e Bashkuara iu rikthyen presionit mbi Kosovën për të respektuar Marrëveshjen e Ohrit, e të njëjtën trysni, po e ushtrojnë edhe ndaj Serbisë.
“Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur në shkurt të vitit 2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, përfaqëson një hap pozitiv drejt normalizimit mes dy vendeve, të cilat “duhet të synojnë përparim të shpejtë në zbatimin e Aneksit të kësaj marrëveshjeje”, thuhet në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare që u miratua nga dy dhomat e Kongresit amerikan e u firmos nga presidenti Donald Trump.
“Pasi të arrihet përparim i mjaftueshëm, SHBA-ja duhet të shqyrtojë iniciativa për forcimin e marrëdhënieve bilaterale me të dyja vendet”, theksohet në tekst, duke shtuar se kjo përfshin dialogun strategjik dypalësh dhe nisma konkrete për thellimin e lidhjeve ekonomike dhe investimeve.
Sipas aktit, SHBA-ja duhet të vazhdojë përkrahjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e bazuar në njohjen e ndërsjellë, duke mos mbështetur shkëmbime territoriale, ndarje apo ndryshime të tjera të kufijve sipas linjave etnike në Ballkanin Perëndimor për zgjidhjen e konflikteve.
Ujdia prej 11 nenesh, që njihet edhe si Marrëveshja e Ohrit, parashikon mes te tjerash një nivel të caktuar vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë edhe të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.


