“S’lejojmë njeri të na prekë flamurin dhe gjuhën”/ Protestat për shqipen, aktivisti: Filkov preku nervin e shqiptarit

Protestat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për mbrojtjen e gjuhës shqipe po marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha, pas tubimit të dytë të zhvilluar në Shkup, ku pjesëmarrësit kërkuan respektimin e përdorimit të gjuhës shqipe në testimin e jurisprudencës.
Aktivisti Mevlan Ademi, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën në News24, tha se protesta nuk lidhet vetëm me një çështje të izoluar, por me përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha institucionet. Sipas tij në protestë kanë marrë pjesë mbi 10 mijë qytetarë, ndërsa tubimi vjen pas një tjetër proteste të zhvilluar më 6 prill të këtij viti.
Sipas tij, shqetësimi i studentëve lidhet me mënyrën se si trajtohen të drejtat e shqiptarëve në vend.
“Çdo e drejtë e fituar shqiptare shpesh shihet si cenim i të drejtës maqedonase”, tha Ademi, duke kritikuar edhe deklarimet e ministrit Filkov, i cili sipas tij ka mbrojtur përdorimin e gjuhës maqedonase në këtë debat.
Aktivisti theksoi se shqiptarët nuk kanë asgjë kundër gjuhës maqedonase, por kërkojnë respektimin e gjuhës së tyre amtare.
“Ministri Filkov, i cili ditën e martë doli me qëndrim si mbrojtës i gjuhës maqedonase dhe se nuk do lejojë cënimin e gjuhës maqedonase. Jemi shprehur dhjetëra, qindra herë që nuk kemi kurrgjë kundër gjuhës maqedonase, por jemi kundër atyre që janë kundër gjuhës sime amtare. Kaq është.
Realisht, nga numri i pjesëmarrësve u pa ajo punë. Domethënë, gjithë kjo filloi para dy viteve: patëm peticionin me 400 nënshkrime të studentëve, u bë protesta e parë — patëm dy deri 3.000 pjesëmarrës. Tani u bë protesta e dytë patëm mbi 10.000 pjesëmarrës. Domethënë, e ka prekur atë nervin shqiptar që në fund të ditës ne flasim dhe jetojmë shqip atje, dhe e kemi të shenjtë gjuhën tonë dhe flamurin tonë, dhe këto nuk lejojmë dot askush të na i cënojë, as një ministër, as kryeministër”, tha ai.


