Kallëzoi në SPAK familjen Berisha dhe besnikët e tij, Kokalari: Kam nxjerrë zbuluar pazaret korruptive të Saliut dhe ...

Aktivistja e Partisë Demokratike, Evi Kokalari, ka bërë publik së fundmi rreth 20 faqe dokumente që, sipas saj, lidhen me një kallëzim të depozituar në SPAK kundër Sali Berishës, familjarëve të tij dhe disa drejtuesve të lartë të Partisë Demokratike.
Në një postim në rrjetet sociale, Kokalari pretendon se kallëzimi bazohet në atë që ajo e quan “skemën e marrjes peng të PD-së”, që sipas saj ka nisur nga Kuvendi i 30 prillit 2022 e në vijim.
Ajo shton se zhvillimet brenda PD-së, përfshirë strukturat drejtuese dhe proceset zgjedhore të brendshme, sipas saj kanë shërbyer si bazë për “pazare politike” dhe përfitime korruptive.
Në deklaratën e saj, Kokalari përmend gjithashtu raste dhe akuza që lidhen me koncesione dhe vendime të mëparshme, duke pretenduar se ato janë pjesë e një sistemi më të gjerë që, sipas saj, lidhet me korrupsionin politik në vend.
Ajo thekson se kallëzimi përmban prova mbi, siç shprehet, “manipulime të zgjedhjeve të Këshillit Kombëtar”, të cilat sipas saj kanë ndikuar në kontrollin e brendshëm të partisë.
Në fund, Kokalari deklaron se, sipas saj, praktika të ngjashme ekzistojnë edhe në parti të tjera politike dhe se këto çështje do të trajtohen në vijim, ndërsa aktualisht fokusi mbetet te PD dhe proceset e saj të brendshme.
Reagimi i Kokalarit:
Kallëzimi në SPAK, me të gjithë dokumentat shoqërues, është gati 20 faqe.
Si bazë, kam pasur ndërtimin e skemës se si u mor PD-ja peng që nga Kuvendi më 30 Prill 2022 e deri më sot. Gjithashtu, kam lidhur se si këto manipulime të vitit 2022 (Këshilli, Kryesia, FRPD, Primaret e Bashkive) kanë qenë baza e pazarëve që pasuan, dhe jo vetëm. (Kulla Malit)
Për aferet korruptive të së shkuarës, si shembull kam marrë pusët e naftës që Albana Vokshi, ndërkohë që ishte pjesë e bordit të Alb-Petrol, ka aprovuar për Arjan Tartarin (i njohur si babai i fëmijëve të saj), dhe ky konçesion, sipas të dhënave të vendimit të ICC (International Court Arbitration) lidhen direkt me mbrojtjen që asaj dhe Argita Berishës, Sali Berishës, u nevojitet për t’u mbrojtur nga SPAK dhe drejtësia.
Pra, kam ndërtuar pikërisht skemën se si marrja peng e PD-së lidhet direkt me korrupsionin e tyre të shkuar dhe aktual.
Bashkangjitur keni disa pjesë të kallëzimit, dhe provat se si u manipuluan zgjedhjet e Këshillit Kombëtar, që është baza e mbajtjes së kontrollit të PD-së.
Pra, në 20 faqe kam përshkruar se si është ndërtuar sistemi korruptiv i sotëm. Mos dyshoni, e njëjta situatë është edhe në PS, dhe pas klanit të Berishës, do të merremi me ata të anës tjetër.
Por sot, për t’u marrë me PS-në, pengesë kryesore është familja Berisha dhe këta që i mban rrotull.


