Video / Në detyrë mes dhimbjes – Polici i Kosovës palos flamurin dhe e fut në gji gjatë protestës

Një moment i veçantë është kapur nga kamerat gjatë protestës para objektit të EULEX-it në Fushë Kosovë.
Në pamje shihet një pjesëtar i njësisë speciale të Policisë së Kosovës, i cili gjatë kohës që po kujdesej për ruajtjen e rendit, palos flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e vendos brenda uniformës së tij.
Momenti është regjistruar gjatë protestës së sotme, pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në Prishtinë kanë nisur protestat para zyrave të Eulex-it, pas vendimit të Gjykatës Speciale që dënoi me 81 vite burg ish-krerët e UÇK-së.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur fajtor për krime lufte dhe është dënuar me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Trupi gjykues e shpalli atë penalisht përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm, të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Edhe Jakup Krasniqi u shpall fajtor për krime lufte, përfshirë ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Gjykata e dënoi Krasiqin me 25 vite burg.
Kadri Veseli është dënuar me 18 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Trupi gjykues e shpalli Veselin fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Trupi gjykues e shpalli Selimin fajtor për krime lufte, përfshirë trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme./


