Zyrtarët pezullohen pas aktakuzës për keqpërdorim: Kontrata prej 500 mijë eurosh përfundoi me mbi 5 milionë euro pagesa

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka pezulluar nga detyra zyrtarët ndaj të cilëve Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, i cili tha se rasti lidhet me periudhën 2017–2019 dhe me një kontratë për mirëmbajtjen e urave në rrugët nacionale dhe regjionale.
Sipas aktakuzës, aktiviteti i prokurimit ishte iniciuar me një vlerë të parashikuar prej 500 mijë eurosh, ndërsa pagesat e realizuara kanë arritur në mbi 5 milionë euro.
Basha tha se bëhet fjalë për para të qytetarëve dhe se institucionet presin që drejtësia të japë sa më shpejt verdiktin përfundimtar dhe të mbajë përgjegjës secilin që ka abuzuar me mjetet e taksapaguesve.
“Askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe buxheti nuk mund të trajtohet ndryshe përpos sipas procedurave dhe rregullave të parapara”, deklaroi Basha.
Ai shtoi se Ministria do të ofrojë bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë dhe do të punojë për forcimin e kontrollit, mbikëqyrjes dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet e institucionit.
Ministri në detyrë theksoi gjithashtu se çdo dyshim serioz për keqpërdorim do të trajtohet me përgjegjësinë më të lartë institucionale.


