240 mijë dollarë shpenzime me kartën e biznesmenit, Monika Kryemadhi nga SPAK: Kam qenë në Beverly Hills e Las Vegas
Ish-deputetja e Partisë së Lirisë dhe ish-bashkëshortja e Ilir Meta, Monika Kryemadhi, është paraqitur këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Jashtë ambienteve të Strukturës së Posaçme, Kryemadhi u pyet nga gazetarët lidhur me mijërat dollarë të shpenzuara nga ajo nga karta e biznesmenit dhe kushëririt të saj Adrian Shatku.
Duke mohuar akuzat e SPAK dhe deklaratat e bëra nga Tedi Blushi se kjo shumë është shpenzuar nga zonja Kryemadhi për veshje të shtrenjta, ajo bëri me dije se i ka kërkuar bankës në SHBA që t’ia vendosë në dispozicion të gjitha faturat.
Ajo pohoi se ka qenë në Beverly Hills e Las Vegas për ditëlindjen e vajzës me kushëririn e saj dhe persona të tjerë dhe se shumat e paguara nga Shatku janë kryesisht për hotele dhe bileta avioni.
“Po themi shpenzime që kanë lidhje me Monika Kryemadhin. Jo jo nuk janë veshje, këtë e thotë zv i Partisë së Lirisë Tedi Blushi i cili merr derektiva nga SPAK. Janë të gjitha, me hotele, me bileta avioni me akullore. Dhe ajo që dua të them se secili ka shpenzimet e veta do i kërkoj bankës se cilat janë hotelet e mija dhe biletat e mija.
Nga ana tjetër do të kuptoni dhe një gjë për të qenë të qartë she Shatku nuk ka të bëjë me buxhetin e shtetit as me tendera as me shpenzime apo përfitime nga qeveria shqiptare. Shatku është një kompani amerikane i cili ka punuar dhe punon edhe në 56 vende të tjera të botës”, tha Kryemadhi.