Arben Kola kërcënon SPAK nga protesta për Zvërnecin: Do t’ju rrethojmë deri sa të lëshoni urdhër-arrestet

Gjatë protestës së zhvilluar dje para Kryeministrisë kundër investimit në Zvërnec, aktivisti Arben Kola e ka ashpërsuar retorikën e tij, duke arritur deri aty sa të kërcënonte edhe Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Kola kërcënoi se protestuesit do të rrethonin SPAK dhe sipas tij, asnjë prej prokurorëve të kësaj strukture nuk do të mund të dilte nga godina, pa firmosur urdhër-arrestet për politikanët e korruptuar.
“Ose do rrethohesh nga populli shqiptar në mënyrë paqësore dhe nuk do dilni nga SPAK pa lëshuar urdhër-arrestet për të gjithë politikanët e korruptuar”, tha mes të tjerash Kola.
Por këto praktika janë si gjyqet popullore të dikurshme. Presioni ndaj drejtësisë për të shpallur urdhër-arreste, nuk bën drejtësi, por kalon në një ekstrem të rrezikshëm të përdorimit të prokurorisë dhe gjyqësorit për eliminimin e kundërshtarëve politikë.
Drejtësia duhet të veprojë në bazë të indicieve për të nisur hetimet dhe të fakteve konkrete për të dënuar njerëzit, dhe jo nga ‘presioni popullor.’


