Kuvendi miraton ndryshimet në ligjin për Policinë e Shtetit, Lamallari: Më shumë meritë, më pak burokraci

Politikë

Kuvendi miraton ndryshimet në ligjin për Policinë e Shtetit,

Policia e Shtetit do të funksionojë mbi një kuadër të ri ligjor, pasi Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjin për organizimin dhe funksionimin e institucionit. Sipas autoriteteve, reforma synon të forcojë kapacitetet drejtuese, të përshpejtojë vendimmarrjen dhe të modernizojë administrimin e burimeve njerëzore, pa ndryshuar parimet bazë mbi të cilat është ndërtuar Policia e Shtetit.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, shpjegoi se ndryshimet synojnë krijimin e një strukture më funksionale, me një zinxhir komandimi më të qartë dhe më pak procedura burokratike që, sipas tij, kanë sjellë vakanca të zgjatura në pozicionet drejtuese.

Një nga risitë kryesore të ligjit lidhet me sistemin e karrierës. Sipas Lamallarit, rikthehet lidhja mes gradës dhe funksionit drejtues, me qëllim që emërimet të bazohen te merita dhe eksperienca profesionale.

Amendimet parashikojnë gjithashtu përshpejtimin e plotësimit të posteve drejtuese, duke shmangur vakumet e krijuara nga procedurat e gjata administrative. Po ashtu, parashikohen rregulla më të qarta për transferimin e efektivëve dhe një sistem disiplinor më proporcional.

Në një reagim pas miratimit të ligjit, Lamallari u shpreh se përvoja e punonjësve të Policisë do të trajtohet si një vlerë institucionale dhe jo si privilegj.

“Duke pasur parasysh sfidat e reja të sigurisë dhe krimit transnacional, Shqipëria ka nevojë për një Polici Shteti më të fortë, më profesionale dhe më afër qytetarëve”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Ndërkohë, gjatë së njëjtës seancë plenare, Kuvendi votoi edhe për zgjedhjen e kreut të ri të Komisionit të Prokurimit Publik. Me 78 vota pro, Ismail Shehu u zgjodh në krye të këtij institucioni. Në votim pati 5 vota kundër dhe 2 abstenime, duke i siguruar kandidatit shumicën e nevojshme për emërimin në detyrë.

ME TE LEXUARAT