Ndryshime në Parlamentin e ri, pritet të shtohen 3 komisione! Rama vijon takimet në Kryeministri

Politikë

Ndryshime në Parlamentin e ri, pritet të shtohen 3 komisione! Rama

Parlamenti i ri do të nisë punën më 10 shtator dhe struktura e tij pritet të ketë disa ndryshime të rëndësishme. Mësohet se në takimet që kryeministri Edi Rama ka zhvilluar me disa prej figurave kryesore të PS, paraprakisht është diskutuar që Kuvendi nga 8 komisione të përhershme të ketë 11 komisione.

Një prej komisioneve që do të shtohet është ai për mirëqeverisjen dhe antikorrupsionin për “Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, i cili u ngrit si komision i posaçëm dhe u drejtua nga Fatmir Xhafaj. Me nisjen e legjislaturës së re, ky komision pritet të jetë i përhershëm dhe mendohet se kryetar i tij do të jetë sërish Xhafaj.

Nga ana tjetër, komisioni për veprimtarinë prodhuese do të ndahet në 3 komisione, bujqësia do të ketë një komision më vete, energjia, mjedisi, turizmi më vete dhe infrastruktura e telekomunikacioni më vete. Tradicionalisht, mbi bazën e raporteve shumicë-pakicë në Parlament, pritet që nga 11 komisione PS të marrë drejtimin e 7, ndërsa 4 të tjerët të drejtohen nga opozita. Por përtej informacioneve në lidhje me Parlamentin e ri, asnjë detaj nuk është zbuluar për ekipin me të cilin kryeministri Edi Rama do të drejtojë vendin në 4 vitet e ardhshme.

Në godinën e qeverisë gjatë dy ditëve të fundit janë parë të hyjnë disa prej figurave të PS si dhe disa ministra, duke nisur nga zëvendëskryeministrja Balluku tek ai i Financave.

Pas zgjedhjeve të vitit 2017 dhe pas fitores në vitin 2021, Rama e shpalli qeverinë e re në Asamblenë Kombëtare të PS. Për shkak të kësaj tradite, pritet që kryeministri të thërrasë Asamblenë e të shpallë emrat e ministrave të rinj së bashku me prioritetet e qeverisë, por ende nuk ka asnjë datë se kur ky forum mund të mblidhet.

 

 

ME TE LEXUARAT