“Në Spanjë e Francë po përjetojnë tmerr”, Rama nga Baza Ajrore e Farkës: Jemi gati t’u shkojmë në ndihmë nëse…

Politikë

“Në Spanjë e Francë po përjetojnë tmerr”,

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar punën e forcave zjarrfikëse dhe Emergjencave Civile për përballimin e situatave me zjarret.

Gjatë një takimi në Bazën Ajrore të Farkës me ekipet e emergjencave, Rama u ndal te situata e rënduar nga zjarret në Europë, duke theksuar se ndryshimet klimatike i kanë kthyer zjarret masive nga një ngjarje të jashtëzakonshme në një sfidë të vazhdueshme për të gjitha vendet.

“Teksa ne jemi të mbledhur në këtë hangar të helikopterëve, në Francë dhe Spanjë mbi 300 mijë njerëz kanë lënë shtëpitë e tyre deri mbrëmë. Ndërkohë, mbi 55 mijë banorë janë evakuuar në zonat përreth Bordosë, ku flakët kanë hyrë deri në rrugicat e periferisë. Në Spanjë thuhet se është zjarri më i rëndë që ka njohur ndonjëherë Madridi në historinë e vet.

Në territorin e Francës flakët kanë shkrumbuar më shumë se 200 mijë hektarë, një sipërfaqe më e madhe se qyteti i Tiranës. Kolegët tuaj në këto vende po përjetojnë një ferr, duke bërë një sakrificë të paimagjinueshme për të ruajtur jetët dhe natyrën. Unë jam i bindur se askush nga ju që ushtroni këtë profesion, nuk i shihni ata si të huaj dhe si lajme nga bota, sepse është pamje e një lufte të përbashkët, në një klime të përbashkët, gjatë sezonit të një vere të përbashkët.

Kur sheh qindra mijëra njerëz që ikin të lemerisur me çfarë mund të marrin nëpër duar, është njësoj si të shohësh njerëzit tanë për shkak se rreziku dhe sfida është e njëjtë. Ndaj, dua që edhe me lejen tuaj në këtë sallë t’i përcjell solidaritet të gjithë kolegëve tuaj në Francë dhe Spanjë. Ne e kemi bërë edhe në të shkuarën falë jush dhe jemi gati të japim ndihmën tonë kur fqinjët kanë qenë në hall.

Edhe ata na kanë ndihmuar kur ne kemi qenë në të njëjtin hall. Ne kemi njerëzit tanë në Kanada, që nuk kursehen, duke ardhur këtu të pranishëm dhe duke trajnuar forcat tona këtu. Sot jemi të gjithë të qartë se zjarret e mëdha nuk janë më një përjashtim, janë rregulli i një klime të ndryshuar.

Ajo që po ndodh në Spanjë e Francë nuk është diçka që na bën të pyesim a mund të ndodhë te ne, por të pyesim sa të përgatitur jemi kur të ndodhë. Shqipëria është shumë më e vogël dhe nuk ka luksin të humbasë asnjë hektar pyll. Këtë vit ajo që kemi bërë ka qenë përgatitja. Është njësoj si një skuadër që stërvitet gjithë vitit për kampionatin botëror.

Jemi përpjekur të organizojmë të gjithë ndihmat që vijnë nga çdo instancë e mundshme. E reja e këtij viti është se Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, që vjen nga eksperienca e pushtetit vendor, ka luajtur rolin e koordinuesit.

Kemi helikopterë që nga momenti në moment mund të bëhen nëntë të tillë. Kemi mbyllur procedurën për tre avionë që do të vijnë në fund të vitit dhe do të jenë pronë e shtetit shqiptar. Kemi një proces të dakordësuar që në momentin e një nevoje të veçantë të kemi në dispozicion avionë që vijnë nga ajo bazë ku po përgatiten të rinjtë”, shprehet Rama.

ME TE LEXUARAT