“Opozita- katastrofë ambulante”/ Rama: Zgjedhjet vendore nuk rrezikojnë shumicën tonë prej 83 mandatesh

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur në asamblenë e Partisë Socialiste në Elbasan, ka sulmuar opozitën, duke e cilësuar atë si një “katastrofë ambulante”.
Rama u shpreh se vakumi i krijuar nga opozita mund të mbushet me energji negative që, sipas tij, mund të pengojë rrugën e qeverisë.
Ai theksoi se aktualisht nuk ka zgjedhje parlamentare përpara që të rrezikojnë shumicën socialiste prej 83 mandatesh, ndërsa përmendi zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm si procesin e ardhshëm elektoral.
“Vakumi i krijuar për shkak se opozita zyrtare është një katastrofë ambulante mund të mbushet me negativitet dhe me një energji që mund të na pengojë në këtë rrugë. Këtu nuk është çështja e aritmetikës, as se kemi përpara zgjedhje, sepse ne nuk kemi përpara zgjedhje, përveçse në vitin e ardhshëm kur do të bëhen zgjedhjet vendore”, tha Rama.
Ai shtoi se Partia Socialiste duhet të jetë më pranë anëtarësisë dhe qytetarëve, duke diskutuar çështjet e mëdha politike dhe shoqërore.


