“Populli shqiptar dhe i Kosovës janë solidarizuar me Ukrainën”, Berisha për deklaratën e Zelenskyt: E pavend, nuk e harrojmë

Politikë

“Populli shqiptar dhe i Kosovës janë solidarizuar me

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë për gazetarët ka komentuar deklaratën e bërë disa ditë më parë nga Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky gjatë vizitës së tij në Beograd. Ai deklaroi se vendi i tij nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës.

Berisha e konsideroi deklaratën “të pavend dhe të papranueshme”, duke argumentuar se ajo bie ndesh me qëndrimet e NATO-s, Planin e Ahtisaarit dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës.

Kreu i PD-së theksoi gjithashtu marrëdhëniet dhe solidaritetin e shqiptarëve me Ukrainën që prej nisjes së luftës kundër agresionit rus, ndërsa e cilësoi Serbinë si një aleate të rëndësishme të Moskës në Ballkan. Sipas Berishës, deklarata e Zelenskyt në Beograd është jashtë kontekstit historik dhe nuk duhej të ishte bërë në atë vend.

Berisha: Ne shprehim keqardhje për deklaratën e Presidentit Zelensky në Beograd për pavarësinë e Kosovës, të cilën ai u shpreh se është e njëanshme. Kjo deklaratë e Presidentit Zelensky vjen në kundërshtim të hapur me vendimet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, me planin e Ahtisarit të ngarkuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, vjen në kundërshtim të hapur me vendimet e vendeve kryesore anëtare të NATO-s, vjen në kundërshtim të hapur me të drejtën dhe ligjin ndërkombëtar të interpretuara ato me kërkesë të Beogradit nga Gjykata Ndërkombëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila është shprehur për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës.

Nga ana tjetër, deklarata është jashtë çdo konteksti historik. Shqiptarët janë një komb mik me kombin ukrainas dhe në Shqipëri dhe Kosovë ata janë solidarizuar plotësisht me luftën heroike në popullit të Ukrainës nën udhëheqjen e Zelenskyt kundër agresionit barbar rus. Serbia deri para pak kohësh ishte kali i Trojës i Kremlinit në Ballkan. Është Rusia e vogël, e cila në mënyrë të pamohueshme shërbeu dhe vazhdon të shërbejë si prapavijë e fuqishme e Rusisë në Ballkan. Deklarata e Zelenskyt është jashtë çdo konteksti dhe PD e konsideron një deklaratë të pavend dhe të papranueshme. Një deklaratë fatkeqe në një vend që s’duhej bërë kurrë për pavarësinë e Kosovës.

Megjithatë Berisha theksoi se pavarësisht deklaratës së Zelenskyt, Shqiëpria do të vijojë në qëndrojë në krah të Ukrainës në luftën kundër Rusisë.

Berisha: Presidenti bëri një deklaratë të tillë. Ne nuk harrojmë dhe nuk e pranojmë këtë deklaratë, por nuk mund të bëhet fjalë që të ndryshojmë qëndrimin ndaj agresionit barbar rus ndaj popullit ukrainas që po bën një luftë heroike në mbrojtje të pavarësisë.

Ukraina është një nga shtetet evropiane që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Kievi ka ruajtur këtë qëndrim edhe pas nisjes së luftës ruse në Ukrainë, ndërsa zyrtarët ukrainas kanë argumentuar se çështja e Kosovës duhet të trajtohet në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare.

ME TE LEXUARAT