Protesta te Parlamenti, Koçiu: Dhuna është e papranueshme, Shqipëria nuk merret peng nga kaosi

Politikë

Protesta te Parlamenti, Koçiu: Dhuna është e papranueshme,

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar pas incidenteve të shënuara gjatë protestës së kësaj të marte para Parlamentit.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçiu u shpreh se dhuna verbale dhe fizike është jashtë çdo kornize demokratike.

“Dhuna verbale dhe fizike e shfaqur sot jashtë Kuvendit është e papranueshme dhe jashtë çdo kornize demokratike. Sjellje të tilla agresive nuk i bëjnë nder as protestës dhe as kujtdo që pretendon të përfaqësojë qytetarët e këtij vendi”, shkruan ajo.

Zëvendëskryeministrja shton se përpjekjet për destabilizim dhe krijim kaosi nuk do të kenë sukses.

“Skenarët për destabilizim dhe kaos, të orkestruar nga një grup i vogël njerëzish që i vendosin agjendat e tyre politike mbi interesin e vendit, nuk mund dhe nuk do ta marrin kurrë peng jetën publike dhe politike të Shqipërisë”, thekson Koçiu.

Në përfundim të reagimit të saj, ajo shprehet se tentativa të tilla kanë dështuar edhe më parë dhe se qytetarët, sipas saj, kanë zgjedhur rrugën e zhvillimit dhe të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Këto tentativa do të dështojnë gjithmonë, ashtu siç kanë dështuar edhe në të kaluarën, duke u lënë njollën e turpit dhunuesve dhe braktisjen e qytetarëve, të cilët sot, më shumë se kurrë, zgjedhin rrugën e zhvillimit dhe të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, përfundon reagimi i Koçiut.

ME TE LEXUARAT