“Isha në një periudhë shumë të errët”, Bebe Rexha zbulon historinë pas këngës së re

Këngëtarja e famshme shqiptare, Bebe Rexha, ka ndarë historinë personale dhe domethënien emocionale që qëndron pas këngës së saj më të re, “New Religion”.
Artistja zbuloi se kjo këngë ka një peshë shumë të veçantë për të, duke e përshkruar si një “letër dashurie për muzikën”.
Kënga është pjesë e albumit të saj të ri, “Dirty Blonde”, që sipas saj, shënon një epokë të re në karrierën artistike.
Në një rrëfim të sinqertë për fansat, Rexha zbuloi se kur nisi punën për këtë projekt, po kalonte një periudhë shumë të vështirë në jetën e saj.
“Isha e frustruar, e zemëruar dhe shumë e dëshpëruar. Ndihesha sikur isha në një kafaz dhe pavarësisht sa fort bërtisja, isha e bllokuar. Nuk e dija se si do të arrija të dilja prej tij”, u shpreh këngëtarja e famshme.
Bebe Rexha tregoi se në atë moment iu rikthye muzikës dance, e cila e kishte ndihmuar gjithmonë të përballonte emocionet e forta.

“Kur basi godet në gjoks dhe ti humb veten në muzikë, asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Pikërisht aty u ndjeva përsëri e lirë”, tha Rexha.
Sipas saj, kënga “New Religion” përfaqëson strehën dhe shpëtimin që muzika i ka dhënë në momentet më të vështira të jetës.
Artistja shprehu gjithashtu mirënjohjen për grupin legjendar Faithless, i cili i lejoi të përdorte një nga regjistrimet e tyre ikonike të muzikës dance në këtë projekt të ri./Shqip


