Marc Anthony bëhet baba për herë të tetë! Këngëtari dhe Nadia Ferreira zbulojnë emrin e veçantë të vajzës!

Marc Anthony dhe bashkëshortja e tij, Nadia Ferreira, kanë ndarë me ndjekësit lajmin e bukur të ardhjes në jetë të fëmijës së tyre të dytë së bashku.
Çifti mirëpriti një vajzë, të cilën e kanë pagëzuar me emrin Myla. Ajo është fëmija i dytë i çiftit dhe i teti për legjendën e muzikës latine.

Lajmin e lumtur e bënë publik përmes një postimi në Instagram, ku ndanë edhe fotografi të të porsalindurës.
“Çfarë bekimi i madh të ndajmë me ju ardhjen në jetë të Mylës sonë të çmuar. Nuk mund ta imagjinoni dot lumturinë që ndiejmë në shtëpinë tonë”, shkruan Marc Anthony dhe Nadia Ferreira.
Myla i bashkohet vëllait të saj të madh, Marcos, i cili erdhi në jetë në qershor të vitit 2023.
Çifti kishte njoftuar se po prisnin fëmijën e dytë në janar të këtij viti, në përvjetorin e tretë të lidhjes së tyre.
“Në përvjetorin tonë të tretë, jeta na dhuron një bekim të mrekullueshëm. Zoti është i madh”, shkruanin atëherë, duke publikuar një fotografi ku Marcos vendoste dorën mbi barkun e rrumbullakosur të Nadias.
Pak javë më vonë, modelja paraguajane zbuloi edhe gjininë e foshnjës, duke publikuar një foto me këpucë të vogla rozë.
Marc Anthony dhe Nadia Ferreira u martuan në janar të vitit 2023 në Miami, rreth tetë muaj pasi shpallën fejesën. Për Ferreiran kjo është martesa e parë, ndërsa për këngëtarin është martesa e katërt.


