SKANDALI i hyrjes së vajzave VIP në burg, modelja e njohur dorëzon deklaratën shokuese noteriale!

Zhvillimet e fundit në hetimin për skandalin e hyrjes së vajzave VIP në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë kanë nxjerrë në pah një element të ri që mund të ndryshojë të gjithë çështjen.
Sipas dokumenteve të administruara nga prokuroria e Korçës, modelja kosovare Ziza Pajaziti ka dorëzuar një deklaratë noteriale në drejtimin e burgut, ku pretendon se ka qenë bashkëjetuese me të dënuarin me burgim të përjetshëm Laert Haxhiu.
Ky dokument, që ka vlerë juridike, është përfshirë në dosjen hetimore dhe mund të justifikojë ligjërisht hyrjen e saj në ambientet e burgut për takime speciale, pasi një status i tillë lejohet nga rregullat.
Nëse ky pretendim konsiderohet i vlefshëm, pritet që hetimet ndaj ish-drejtorit të burgut Drenovë, Fatjon Fasho, dhe ish-shefit të policisë së burgut, Sokol Kaçoli, të marrin një tjetër drejtim, duke hapur mundësinë e pushimit të akuzave për shpërdorim detyre.
Ndërkohë, pavarësisht kësaj lëvizjeje, vetë Ziza Pajaziti vijon të mos gjendet prej më shumë se një viti nga autoritetet, të cilat kanë kërkuar vazhdimisht marrjen në pyetje të saj për të sqaruar rrethanat e hyrjes në burg.
Rasti lidhet me ngjarjen e qershorit 2025, kur ajo arriti të hyjë në burgun e sigurisë së lartë për një takim me Laert Haxhiun, i dënuar përjetë për një vrasje të dyfishtë në Lushnjë.
Prokuroria ka kërkuar edhe ndihmën e Ministrisë së Brendshme për të identifikuar adresën e saj në Tiranë dhe për t’i dërguar fletë-thirrje zyrtare, por deri tani pa rezultat.
Deri në këtë fazë të hetimeve, nuk ka ende persona të marrë të pandehur, ndërsa çështja mbetet e hapur dhe e mbushur me pikëpyetje mbi mënyrën se si janë lejuar këto takime në burgje të sigurisë së lartë.


