Kanceri kolorektal, alarm për të rinjtë: Rriten rastet dhe vdekshmëria nën moshën 50 vjeç

Soft

Kanceri kolorektal, alarm për të rinjtë: Rriten rastet dhe

Kanceri kolorektal po prek gjithnjë e më shumë të rinjtë, ekspertët paralajmërojnë për rrezikun në rritje.

Kanceri kolorektal nuk është më një kërcënim vetëm për të moshuarit, por po shfaqet gjithnjë e më shpesh edhe te burrat dhe gratë e reja. Sot ai është shkaku kryesor i vdekjeve nga kanceri tek amerikanët nën moshën 50 vjeç.

Vdekja e aktorit të “Dawson’s Creek”, James Van Der Beek, në moshën 48-vjeçare këtë javë, si dhe disa vite më parë e yllit të “Black Panther”, Chadwick Boseman, në moshën 43-vjeçare, kanë nxjerrë në pah rrezikun që kjo sëmundje paraqet për të rinjtë.

“Po shohim gjithnjë e më shumë persona në të 20-at, 30-at dhe 40-at që po zhvillojnë kancer të zorrës së trashë. Në fillim të karrierës sime, askush në atë moshë nuk kishte kancer kolorektal,” tha Dr. John Marshall nga Qendra Gjithëpërfshirëse e Kancerit Lombardi në Universitetin Georgetown, me mbi tre dekada përvojë si mjek onkolog.

Sipas tij, kjo tendencë po i trondit të gjithë.

Sa i përhapur është kanceri kolorektal

Kanceri kolorektal, alarm për të rinjtë: Rriten rastet dhe

Sipas “American Cancer Society” më shumë se 158 mijë raste të kancerit kolorektal pritet të diagnostikohen këtë vit në SHBA.

Në të gjitha grupmoshat, ai renditet si shkaku i dytë kryesor i vdekjeve nga kanceri, pas kancerit të mushkërive, i cili pritet të marrë mbi 55 mijë jetë këtë vit.

Në popullatën e përgjithshme, rastet dhe vdekjet kanë shënuar një rënie të lehtë vitet e fundit.

Kjo lidhet pjesërisht me testet e depistimit, të cilat zbulojnë tumoret herët, kur trajtimi është më efektiv – ose madje i parandalojnë, nëse zbulohen dhe hiqen formacione parakanceroze.

Kush është më i rrezikuar?

Shumica dërrmuese e rasteve dhe vdekjeve nga kanceri kolorektal mbeten tek personat 50 vjeç e lart. Në këtë grupmoshë është shënuar edhe përparimi më i madh, me një rënie të vdekjeve rreth 1,5% në vit, gjatë dekadës së fundit.

Megjithatë, ndonëse ende relativisht i rrallë tek personat nën 50 vjeç, diagnozat në këtë grup kanë qenë në rritje që nga fillimi i viteve 2000.

Muajin e kaluar, studiuesit raportuan se vdekshmëria nga kanceri kolorektal tek amerikanët nën 50 vjeç është rritur me 1,1% në vit që nga viti 2005, duke u bërë lloji i kancerit më vdekjeprurës për këtë grupmoshë.

Vetëm këtë vit, vlerësohet se 3 890 persona nën 50 vjeç do të humbasin jetën prej tij.

Faktorët e rrezikut

Faktorët e rrezikut në çdo moshë përfshijnë obezitetin, mungesën e aktivitetit fizik, dietën e pasur me mish të kuq ose të përpunuar dhe të varfër me fruta e perime, duhanpirjen, konsumimin e tepruar të alkoolit, sëmundjet inflamatore të zorrëve si dhe historikun familjar me kancer kolorektal.

Ekspertët theksojnë rëndësinë e kontrollit të hershëm dhe të një stili jetese të shëndetshëm si mënyra më efektive për të ulur rrezikun dhe për të rritur shanset e zbulimit në kohë. /ORA

ME TE LEXUARAT