Frikë te Baseli, dhomat e zhveshjes në flakë, shtyhet ndeshja

Është shtyrë zyrtarisht ndeshja e kampionatit zviceran mes FC Thun dhe FC Basel, e planifikuar për t’u zhvilluar këtë të shtunë, pas një incidenti serioz në ambientet e klubit nga Bazeli.
Vendimi është marrë nga Federata Zvicerane e Futbollit, e cila ka pranuar kërkesën e klubit mysafir, pasi një zjarr i rënë mbrëmjen e së premtes ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në stadiumin St. Jakob-Park.
Sipas njoftimit zyrtar, zjarri ka përfshirë dhomat e zhveshjes së ekipit të parë, duke shkatërruar uniformat, pajisjet mjekësore dhe një sërë ambientesh të tjera të rëndësishme, përfshirë zyrat e stafit, dhomat e fizioterapisë dhe dushet. Si pasojë, zhvillimi i ndeshjes në kushte normale është bërë i pamundur.
Shkaqet e incidentit mbeten ende të paqarta dhe autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Kujtojmë se pjesë e FC Basel është edhe futbollisti shqiptar Xherdan Shaqiri.


