Policia polake ndalon festimet e shqiptarëve, kontrolle të imtësishme

VARSHAVË, Poloni - Sot në orën 20:45 në stadiumin 'PGE Arena' të Varshavës luhet ndeshja Poloni - Shqipëri, e vlefshme për gjysmëfinalen play-off të Kupës së Botës 2026. Kjo është një sfidë historike për tanët, pasi për herë të parë kuqezinjtë garojnë në këtë fazë.
Në rast se kombëtarja shqiptare e futbollit kalon sot Poloninë në ndeshjen teke, pas katër ditësh do përballet në transfertë me fituesin e çiftit Ukrainë - Suedi, për të ëndërruar më pas një biletë për në finalet e Kupës së Botës 2026, që këtë vit zhvillohen nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Sa i takon atmosferës, prej mëngjesit të sotëm në rrugët e Varshavës ka nisur festa me këngë dhe valle patriotike, teksa shqiptarët e kanë 'ngjyrosur' kuqezi kryeqytetin polak. Diçka më shumë se 3 mijë shqiptarë do mund të jenë në stadium, teksa të shumtë janë ata që kanë udhëtuar edhe pa një biletë. Ndeshja gjykohet nga anglezi Anthony Taylor.
Sylvinho lë jashtë tre futbollistë
Trajneri Sylvinho ka dërguar në UEFA listën zyrtare me 23 futbollistët e gatshëm që do ketë për këtë sfidë, teksa mungojnë Jasir Asani, Nazmi Gripshi dhe Klisman Cake. Asani ka kohë që nuk luan, pas largimit nga Irani për shkak të luftës, ndërsa dy zgjedhjet e tjera duket se janë teknike, për shkak të mbingarkesës në repartin anësor të sulmit dhe mbrojtje.
Formacioni i mundshëm
Pritet që tanët të luajnë me skemën 4-3-3 dhe me një 'sulmues të fshehur', i cili nuk do jetë Muçi. Mungesat e Dakut dhe Manajt, si edhe forma jo e mirë e Brojës, ka bërë që trajneri mos ketë një pikë orientimi në sulm, duke dashur të jetë në fushë me një 'nëntë false', në këtë rast Nedim Bajrami, që edhe më herët ka luajtur në këtë rol. Porta, mbrojtja dhe mesi i fushës nuk pritet të ketë ndryshime nga ndeshjet e fundit, ndërsa dilema e trajnerit është për sulmin.
Formacioni i mundshëm i Kombëtares:
Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Shehu, Laçi, Asllani; Uzuni, Bajrami (Broja), Hoxha (Muçi) Trajner: Sylvinho
Historia dhe përballjet Shqipëri - Poloni:
Të dyja skuadrat janë përballur 15 herë në histori, me dhjetë fitore të Polonisë, dy fitore të Shqipërisë dhe tre barazime. Nga këto takime, vetëm pesë kanë qenë miqësore. Fitoret e Shqipërisë datojnë më 29 nëntor 1953, 2-0 në 'Qemal Stafa' me golat e Loro Boriçit dhe Refik Resmjas, si dhe në takimin e fundit mes tyre, po 2-0 më 10 shtator 2023 në 'Air Albania', me golat e Jasir Asanit dhe Mirlind Dakut.
Takimi Poloni - Shqipëri do të luhet më 26 mars, në orën 20:45, në stadiumin “PGE Narodowy” të Varshavës. Në rast se kuqezinjtë kalojnë polakët në këtë ndeshje teke, më 31 mars do luajnë sërish në udhëtim për finalen play-off kundër fituesit e çiftit Ukrainë - Suedi, me shpresën për një vend historik në finalet e Botërorit 2026 që këtë vit do zhvillohen nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada./Shqiptarja


